Ukraina feston këtë të shtunë (24 gusht) 33-vjetorin e pavarësisë. Edhe pse këtë ditë të shënuar duhej ta festonte e lirë, Ukraina prej tre vitesh vijon ende të mbrojë sovranitetin e tij pas luftës së nisur nga Rusia.
Në Ditën e Pavarësisë urimet dhe mbështetjet për Ukrainë dhe popullin e saj kanë ardhur edhe nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, Prezenca e BE si dhe Ministria e Jashtme shqiptare.
Ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë në ambasadat në vendin tonë kanë zgjedhur të urojnë pavarësinë e Ukrainë nga rruga “Ukraina e Liri” në Tiranë, ku rikonfirmojnë për të mbështetjen e palëkundur për mbrojtjen e sovraniteti.
“Si sot në vitin 1991, Ukraina shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Më shumë se tre dekada më vonë, Ukraina vazhdon të mbrojë sovranitetin e saj me guxim të pashoq. Lufta e tyre për liri dhe demokraci është një shembull i fuqishëm për botën. Ndërsa ata qëndrojnë në këmbë përballë fatkeqësive, ne qëndrojmë me ta në solidaritet dhe shpresë. Për nder të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së Nancy VanHorn iu bashkua me krenari të Ngarkuarës me Punë të Ukrainës dhe Shefave të tjerë të Misionit në Shqipëri për të nderuar forcën, qëndrueshmërinë dhe shpirtin e palëkundur të Ukrainës“, shkruan ambasada e SHBA-së.
Edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato shprehet se BE është pranë Ukrainës.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ukrainë! BE-ja dhe partnerët e saj janë pranë jush ndërsa luftoni kundër agresionit rus, për të mbrojtur sovranitetin tuaj dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”, shkruan ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.
Urimi ka ardhur edhe nga ministri i Jashtëm Igli Hasani, i cili shpreh mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, ndërsa ka shpërndarë dhe momente kur kryeministri Edi Rama ka vizituar Kievin gjatë kohës së bombardimeve, apo mbrojtjen që Shqipëria ka bërë për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë në OKB.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë qeverisë dhe popullit heroik të Ukrainës ! Në këtë ditë të rëndësishme Shqipëria rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, shkruan Hasani.
Më 24 gusht të 1991, Ukraina shpalli Pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik.
/a.r