25 vjeçari theu “arrestin shtëpiak” për të vjedhur kompjuterat e gjimnazit

Pas më shumë një muaji është zbardhur vjedhja e kryer në një gjimnaz në Malësi të Madhe. Sipas policisë, në pranga janë vënë dy të rinj, njëri në arrest shtëpie për transport ilegal emigrantësh dhe tjetri me masë sigurie për prodhim e shitje narkotikësh.

 

Mësohet se të rinjtë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 8 pajisje kompjuterike në gjimnazin e fshatit Gruemirë. Por jo vetëm kaq, 25 vjeçari ka vjedhur edhe instalime elektrike e pajisje në një banesë.

“Kapet dhe vihet në pranga një 25-vjeçar që theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për transportim të kundërligjshëm të emigrantëve, për të kryer vjedhjen në gjimnaz dhe një vjedhje në banesë. Nga hetimet rezultoi se për të vjedhur në gjimnazin në fshatin Gruemirë, 25-vjeçari bashkëpunoi me një 23-vjeçar, i cili aktualisht është me masë sigurie në IEVP Lezhë, për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes së disa pajisjeve, të kryer më datë 05.12.2023, në gjimnazin e fshatit Gruemirë, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të rastit. Në vijim të veprimeve procedurale u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë, Malësi e Madhe. Nga verifikimet rezultoi se 25-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, për të kryer vjedhjen e 8 pajisjeve kompjuterike në këtë gjimnaz, si dhe për të vjedhur më datë 23.01.2024, instalime elektrike dhe pajisje në banesën e shtetasit I. A., në fshatin Grudë.

Gjithashtu, u referuan materialet procedurale shtesë për shtetasin P. K., 23 vjeç, banues në fshatin Gruemirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin E. M., për të kryer vjedhjen në gjimnazin e këtij fshati. Aktualisht, shtetasi P. K. është në IEVP Lezhë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com