Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 25 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
“Si t’ia bëjmë me ndërtimet pa leje”
Pushtetarët bëjnë vetëm mbledhje
Ndërtimet pa leje në rrethin e Elbasanit duket se do ta hanë edhe këtë vit. Nuk ka si të nënkuptohet ndryshe konkluzioni i mbledhjes së djeshme në Bashkinë e këtij qyteti. Pjesëmarrësit në këtë takim, ku ka asistuar dhe drejtori i Policisë Ndërtimore të Elbasanit Robert Rrapo, ndoshta kanë rrahur ujin në havan përderisa tema e debatit ka qenë: “Mbrojtja e mjedisit nga ndërtimet pa leje në Elbasan” duke harruar në këtë mënyrë, se pikërisht këto ndërtime pa fre kanë prishur më së shumti arkitekturën e vetë qytetit. Në shumë raste ato ua kanë marrë frymën dhe institucioneve pushtetarë lokale apo dhe monumenteve të kulturës, pa harruar edhe zënien e tokës së pronarëve autoktonë elbasanas. “Unë kërkoj mbështetjen e organeve të pushtetit dhe bashkëpunimin me ne”, do të thoshte kryepolici ndërtimor, refren të cilin e ka përsëritur një herë në çdo dy javë, por nuk ka gjetur mbështetje. Sa kaq një nga zyrtarët bashkiakë ka cituar masat e menjëhershme që do të merrte bashkia pa thënë se në ç’kohë do të kishin efektivitet këto masa. Ndërkohë asnjëri prej tyre nuk ka guxuar të japë shifrën e saktë të ndërtimeve pa leje në Elbasan, ku afro 2 mijë prej tyre janë ndërtuar brenda urbanistikës së qytetit dhe gati po aq në rrethinat e tij dhe fshatra. Drejtori Rrapo ka shpjeguar se policia që drejton ai, ka ekskluzivitetin e ekzekutimeve të tilla, duke qenë në të njëjtën kohë dhe e armatosur, por fuqia e saj sipas tij vihej në efiçencë nëse mbështetej nga policia e rendit dhe pushteti lokal. Sidoqoftë kjo mbledhje disi pa bukë ua ka dhënë viston kioskave pa leje që të festojnë edhe këtë Vit të Ri. Disa muaj më parë, u tha se kishte ardhur një urdhëresë, e cila urdhëronte që ndërtimet të prisheshin pas miratimit të Kushtetutës. Por po bën një muaj e ca që shqiptarët e miratuan ligjin themeltar të shtetit ndërsa uniformat gri të ndërtimit ende nuk kanë marrë guximin për përurimin e prishjes të të parit ndërtim pa leje. B.DYBELI