Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 15 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Thirrje e katër deputetëve drejtuar opinionit publik shqiptar
Në një kohë kur shqiptarët po provojnë tragjedi, drama, vrasje, rrëmbime dhe kriminalitet të paparë; pikërisht kur kombi ynë po pëson një hemorragji të paparë njerëzore nëpërmjet braktisjes së vendit edhe për arsyet e mësipërme, një nënë e re nga Peqini i sjell kombit tonë pesë fëmijë. Na duket se Zoti, me këtë lindje të rrallë, kërkon të na bëjë të besojmë se geni ynë i shqiptarit- nuk mund të shuhet, por do të mbijetojë e lulëzojë pavarësisht nga vështirësitë e mëdha që po kalojmë… Por duke e ditur se sa e vështirë është rritja, edukimi dhe, në fund të fundit edhe ushqeni i pesë fëmijëve në këtë periudhë, si qytetarë të këtij vendi i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të nxjerrë një vendim të posaçëm për faljen e kësaj nëne, e, ndërkohë u lutemi deputetëve të të gjitha partive, biznesmenëve, shoqatave e fondacioneve të shumta në Shqipëri që të kontribuojnë jo për lëmoshë, por për humanizëm, që jeta e pesë fëmijëve e nënës dhe e gjithë kësaj familjeje të jetë e garantuar të paktën me një shtëpi e së shumti me garanci mirërritjeje afatgjatë. Shqiptarët kanë nevojë për shembuj të tillë humanizmi, virtyt ky që s’u ka munguar kurrë edhe në kohëra më të vështira, si në kohë luftërash e krizash të rënda, ndaj besojmë se kjo thirrje e jona nuk do të bjerë në vesh të shurdhët, KIÇO BLUSHI, GRAMOZ RUÇI NIKOLLË LESI, RAMADAN HASANI.