25 VITE MË PARË/ Gazeta KOHA JONË: “Majko: Të mos arrestohet Sali Berisha, të mos merret me forcë”

Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 13 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku

Pasnesër, ditën kur Berisha do të thirret në Prokurori si i pandehur mendohet të ketë trazira

Majko: Të mos arrestohet Berisha

Kryeministri i jep urdhër të prerë policisë që të mos përdorë forcën ndaj liderit demokrat ditën e premte

Të mos merret me forcë Berisha

Një arrestim spektakolar i ish-presidentit të vendit, mund të çojë në përsëritjen e skenarit të 14 shtatorit

TIRANË/ Të mos merret me forcë Berisha. Urdhrin e ka dhënë Kryeministri Pandeli Majko, sapo ka marrë vesh që Prokuroria ka thënë se do të marrë si të pandehur, ish-presidentin Sali Berisha. “Kryeministri Majko, sapo ka marrë vesh dje se Berisha do të merret si i pandehur në Prokurori, ka urdhëruar forcat e policisë që të mos ndërhyjë asnjeri që ta marrë atë me force”, tha dje për “KJ”, një burim nga Kryeministria. I gjithë shqetësimi i Kryeministrit, është se mund të përsëritet skenari i arrestimit të të gjashtëve më 26 gusht, që çoi në acarimin e situatës politike në Shqipëri. Ndërkohë ka të dhëna që i njëjti skenar po përgatitet të përsëritet, pasi një arrestim me forcë dhe spektakolar i liderit aktual të opozitës zyrtare, duke patur parasysh edhe situatën që është rënduar përsëri me hyrjen e studentëve në grevën e urisë që vazhdon ende. Të njëjtat burime nga Kryeministria, sqarojnë se urdhri i Majkos nuk është ndërhyrje në punët e Prokurorisë, sepse vetë ajo ndërhyn në politikë duke arrestuar Berishën, për më tepër nëse kjo bëhet me forcë. Megjithëse Berishës, i është hequr imuniteti pikërisht për t’i hapur rrugë çështjes penale, kjo nuk do të thotë që të justifikohet forca për ta arrestuar atë. “Heqja e imunitetit, është një akt fillestar, por nuk është akti i fundit, që të arsyetojë gjithçka”, thanë burimet. Imuniteti i Berishës është hequr pas ngjarjeve të 14 shtatorit, pasi Prokurori i Përgjithshëm dha në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit, prova se Berisha duhej të ndiqej penalisht për këto ngjarje. Nga ana tjetër, arrestimi i të gjashtëve, është konsideruar si pika ku ri filloi një acarim mes pozitës dhe opozitës dhe një arsyet për të cilën nuk u arrit konsensusi për Kushtetutën. Megjithëse u bënë tre muaj nga heqja e imunitetit të ish-Presidentit, deri dje Prokuroria nuk kishte marrë asnjë hap për të dhënë urdhër arresti, por shumë shpesh prokurorët kanë deklaruar se politika po ndërhyn në punën e tyre. 14 shtatori nga vetë institucionet qendrore të vendit, ishte konsideruar një tentativë për grusht shteti e ideuar dhe frymëzuar nga lidershipi i PD-së, por të gjitha këto, nuk e kanë penguar Kryeministrin, që duke parë situatën në Shqipëri dhe duke patur parasysh se si mund të precipitojë ajo, t’i dalë përpara të papriturave. Nuk dihet ende se si do të reagojë Prokuroria, ndaj urdhrit të Kryeministrit Majko, që gjithsesi është i vendosur (çka e ka treguar me shumë veprime dhe deklarata të tij të fundit), që të bëjë të pamundur që të parashikojë dhe të parandalojë çdo destabilizim dhe acarim të situatës politike në vend.

KEIDA KOSTRECI

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com