50 vjeçarja Barbara Ioele nuk kishte punuar për 24 vjet teksa kishte gënjyer për 17 shtatzanitë e saj – të cilat i inskenonte duke vendosur jastëk për të imituar barkun e fryrë.
Mediat vendase thonë se gruaja është burgosur pas pretendimit të rreth 100 000 euro në asistencë gjatë viteve. Nga 17 shtatzanitë e saj ajo pretendonte se vetëm pesë ishin realizuar me sukses ndërsa të tjerat kishin përfunduar me abort spontan.
Ioele tha se kishte lindur fëmijën e saj të fundit në dhjetor teksa policia tha se po e mbanin nën mbikqyrje në muajt para lindjes dhe gjithçka rezultoi një mashtrim. Prokurorët shtonin se gënjeshtrat e Ioele ishin bërë të mundura nga vjedhja e një numri çertifikatash lindjeje nga një klinikë në Romë, si dhe me dokumente të tjera të falsifikuara, shkruan e përditshmja vendase Il Mattino.
Partneri 55 vjeçar i Ioele, Davide Pizzinato, ka pranuar në polici se ishte në dijeni të faktit se Ioele nuk ishte asnjë herë shtatzënë. Pizzinato ka pranuar të dëshmojë kundër saj në këmbim të një dënimi më të lehtë për vete, pasi u akuzua si bashkëpunëtor në mashtrim.
Rrjeti Oddity Central shtonte se Ioele kishte nisur mashtrimin e saj prej vitit 2000, duke përfituar një shumë totale prej 100 000 të ardhura në asistencë. Pizzinato u ka thënë hetuesve: “Ajo bëri çertifikatat false dhe unë e di këtë prej vitit 2012, kur ne nisëm marrëdhënien tonë.”
Në një rast të ngjashëm vitin e shkuar në SHBA, Robin Folsom, inskenoi shtatëzaninë e saj për të marrë leje të paguar nga puna dhe për të përfituar $100,000 por u zbulua nga punëdhënësit kur i ra jastëku që kishte vendosur në bark./m.j