Nga Luiza Pinderi
Brishtësinë, rezervimin apo elegancën që mund të ta sjellë në mendje me daljet publike mbretëresha e Spanjës, shkatërrohen nga energjia, vullneti dhe interaktiviteti i Leticias së BPM (Beast Power Mode). Kjo është palestra, biznesi, shtëpia, shoqëria, lodhja dhe çlodhja e saj e së dielës. Është vendi që i ka dedikuar 3 vitet e fundit, të cilin e transformoi nga një ambient lotarie në një ‘perandori’, tokat e pakufishme të së cilës përmbajnë të gjitha ëndrrat dhe ambiciet e 22-vjeçares, që për hir të së vërtetës nuk janë të pakta.
Tashmë zotëron dy biznese: përveç palestrës ka edhe pjesën e BPM Nutrition, me dieta të personalizuara, regjime ushqimore dhe suplemente të ndryshme. Në 2024 planifikon të hapë biznesin e tretë: “Një palestër për ata që nuk duan të lodhen”, thotë me të qeshur, duke shtuar se dëshiron të jetë e para që e sjell diçka të tillë në Shqipëri.
“Kam gjetur mënyrën që njerëzit të bëjnë stërvitjen pa u lodhur, pa vrull. Kjo hapësirë do të tërheqë gratë dhe nënat që rrinë ulur në zyra, por edhe ato që s’kanë fuqi për ushtrime të rënda”, thotë Leticia. Ndërsa pranon me lehtësi termin e bizneswoman, nuk e pranon atë të arkitektes, edhe pse është në vitin e pestë dhe të fundit të studimeve. “Nuk do ta quaj as për 3-4 vitet e ardhshme. Jam me këmbë në tokë për këto që di realisht të bëj”.
Në media njihet më së shumti si vajza e apasionuar pas motorit, mjetit që i lehtësoi jetën ndërsa vraponte gjatë gjithë ditës nga shtëpia tek palestra, më tej tek universiteti në autostradën Tiranës- Durrës dhe rikthim sërish në punë: gjithmonë e përpiktë me axhendën dhe oraret. Por ata që e ndjekin në rrjetet sociale, e dinë se Leticia është shumë më shumë se aq. Është një vajzë me pasione mikse, ashtu si origjina e saj, me babanë nga Malësia e Madhe, nënën nga Çamëria dhe vetë lindur e rritur në Tiranë.
Gjetja e suksesit duke qenë “në kohën dhe vendin e duhur”, në rastin e saj nuk është mjaftueshëm dhe plotësohet vetëm duke i shtuar guximin, lirinë, aftësitë komunikuese dhe kërkuese. Që e vogël merrte ‘misione të pamundura’, siç ishte ajo e imitimit të spikeres së lajmeve që e ndiqte çdo mëngjes nga televizori i vogël i dhomës së prindërve. Kur mësoi të lexonte, qëndronte përballë familjarëve e lexonte lajmet me fletë në dorë, krenare që ia kishte dalë.
Babai i saj nuk e kufizoi kurrë për asnjë dëshirë apo iniciativë. Nuk i tha jo as atëherë kur ishte 13-vjeçe dhe nisi punën e saj të parë në pushimet e verës. Gjatë viteve iu desh të bënte punën e banakieres, pjatalarëses, administratores e menaxheres së klientëve të një pishine, instruktores së palestrës, duke ruajtur me fanatizëm kontaktet e çdo personi me të cilin kishte bashkëpunuar e takuar, për të bërë kështu një numërator të pafundmë elektronik, e duke prodhuar një network të frikshëm.
Lindja e “bishave të tiornës”
“U mendova gjatë dhe më lindi ideja të filloja biznesin tim”, tregon Leticia. Nisi me hapjen e një adrese Instagrami ku promovonte video profesionale për pjesën e instruktimit. Ishte gushti i 2021-it. Periudha e karantinës po merrte fund dhe lëvizjet e njerëzve ishin shtuar, ndërsa izolimi kishte bërë të vetën me injektimin e dëshirës dhe domosdoshmërisë së palestrës. Dëshironte të fuste fitnesin, një disipinë e përhapur më shumë te meshkujt, por jo aq e njohur nga femrat. E detyruar nga buxheti i pakët, e nisi vetëm me sallë crosfiti.
“Ajo rezultoi e suksesshme për shkak se gratë dhe vajzat, me një llastik apo me një girë, unë i ndryshoja brenda muajit, sepse e tillë është fizionomia e trupit. Nuk është si meshkujt që duan vegla, duan ambient, duan stërvitje, gjëra shumë të shtrenjta, që unë nuk kisha mundësi në atë kohë”, thoë Leticia. Duke qenë se nismën e mori e vetme, përveç instruktore ishte edhe e administrator e palestrës. Ky ishte faktori i dytë që diktoi vendimin për të bërë një palestër vetëm për femra, pasi siç shprehet edhe vetë, është e vështirë, më saktë e pamundur, që një mashkull në Shqipëri të pranojë një femër si personal trainer.
Pas vitit të parë me pjesën e crosfitit, aerobisë, ndjeu nevojën për të futur edhe vegla, në mënyrë që të avanconte më tej me stërvitjen e klienteve që frekuentonin rregullisht palestrën e saj. Kjo shtoi më tej klientelën. Kështu që iu fut një rikonstruksioni të dytë të palestrës, jo vetëm për të zgjeruar hapësirën, por edhe për të krijuar një ambient sa funksional, aq edhe të këndshëm për syrin.
“Kam tipin që ia vështirësoj vetes punën”, thotë me të qeshur. Studimet në arkitekturë, një degë që sipas saj të bën ta shohësh botën ndryshe, e ndihmuan të organizonte gjithë punimet, pa qenë nevoja të merrte grupe pune mbikqyrëse. Në çdo tullë apo pllakë që u vendos rishtazi ishte dora dhe vëmendja e saj. Brenda afro tre javëve gjithçka ishte e përfunduar, tashmë më komode dhe më e organizuar, e mjaftueshme për një numër më të madh vajzash, të cilat ajo ka zgjedhur t’i emërtojë “bishat e tironës”, një markë që e prezanton me shumë dashuri në të gjitha aktivitet që merr pjesë. “Pas rihapjes së palestrës, u rikthyen 75% e klientelës së hershme, ndërsa pjesa tjetër erdhi nga marketingu, që edhe atë pjesë e menaxhoj vetë”, tregon ajo.
Paralel me zhvillimet, Leticia ka kryer trajnimet e nevojshme për personal trainer. Certifikimin e parë e mori nga Mythod Academy, e vetmja akademi në Shqipëri që mundësonte trajnime në këtë drejtim. Certifikimin e dytë prej 6 muajsh e bëri pranë NASM, një organizatë botërore e fitnesit, që mbulon personal trainer si dhe gjithë llojet e stërvitjeve që i ka përfshirë në palestrën e saj. “Në Shqipëri njohin vetëm crosfitin, aerobinë, muscle game dhe kaq. Mendojnë se kjo është palestra. Palestra është shkencë më vete dhe çdo ditë nga puna vazhdoj të mësoj”, thotë ajo më tej.
70% e palestrës është psikologji
Tregon se ka një dashuri për psikologjinë. Lexon vazhdimisht në këtë fushë për të mësuar më tepër se si të krijojë marrëdhëniet e punës, me stafin, tashmë të zgjeruar, dhe klientet. Të tilla leksione po i nxjerr nga libri “48 ligjet e pushtetit”, i cili e bën të kthehet në kohë dhe të kuptojë se herë pas here edhe ka gabuar.
“Unë i trajtoj të gjithë njëlloj, në bazë të mentalitetit që kanë. Nëse nuk e njoh atë mentalitet e respektoj, që të marr më të mirën. Konflikte s’kam me asnjë, nuk krijoj”, thotë, duke shtuar me humor se “Leticia nuk do të jetë kurrë e pashpirt”.
Psikologjia e ndihmon që t’i bëjë sa më optimale seancat stërvitore, e sa më të harmonishme marrëdhëniet me vajzat, që të ndjehen si në shtëpinë e tyre. Vetëm kështu ato nuk do ta marrin si një barrë, por si një proces të ditës që iu shton gëzimin. “70% e palestrës është psikologjike”, nënvizon Leticia, duke shtuar se kushdo nga vajzat që ka pranuar seancën e parë falas me personal trainer, nuk ka dashur ta vazhdojë stërvitjen e vetme.
“Këtu janë të gjitha një shtëpi. Sado ta zgjeroj vendin, edhe kur të kem jo 300 vetë, por 3 mijë, unë do të bëj të pamundurën që të ekzistojë kjo frymë. Kjo është fryma e vetme që mund të ecet në Shqipëri”, thekson 22-vjeçarja, ndërsa herë pas here biseda ndërpritet nga vajzat që përshëndetin pasi mbyllin seancat e trajnimit.
Edhe pse jeton mes disa pasioneve, të arkitekturës, sporteve ekstreme të motorëve, makinës, thotë se të gjitha i vendos në shërbim të fitnesit, duke e përfshirë BPM në shumë nga aktivitetet ku merr pjesë. Është e vendosur të ndjekë rrugën e biznesit, jo për të fituar para, por për të shkelur suksesin, duke krijuar një grup biznesesh dhe t’i menaxhojë ato me sukses. Nuk e ndjen konkurrencë dhe shpesh bashkëpunon me palestrat e tjera. “Njerëzit duhet të ikin nga mania për të goditur njëri-tjetrin dhe të menaxhojnë me përgjegjshmëri bizneset që hapin. Të rinjtë duhet të dine se nuk ecet pa ditur se çfarë bën, apo duke goditur bizneset e tjera”, këshillon Leticia.
Për ata që e shohin si vajza e motorit dhe fymëzohen nga historia e saj, ajo thotë se duhet të tregohen të kujdesshëm, pavarësisht adrenalinës dhe vetëbesimit që marrin. Sipas saj, motori është sport, dhe e vetmja mënyrë ku ai mund të mësohet është off-roading.
“Vetëm pasi të keni kaluar një eksperiencë të tillë do të jeni të qetë mbi motor. As shpejtësinë nuk e sugjeroj, është e rrezikshme. Ecni me qetësi, Shqipëria nuk ka infrastrukturën e duhur, për të bërë ato gjëra që shohim në SHBA”./Liberale.al