Një grup studentësh serbë nisën të premten (25.04) një ultramaratonë politike drejt Brukseli. Ata duan të përshkojnë pothuajse 2,000 kilometra brenda 18 ditësh për të informuar përfaqësuesit e Parlamentit të BE-së rreth situatës politike në vend. Në Serbi po zhvillohen prej disa muajsh protesta masive kundër qeverisë së Presidentit Aleksandar Vuçiç. Ato nisën pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor 2024.
Sipas mediave serbe grupi përbëhet nga 21 studentë. Vrapuesit që do të përshkojnë gjashtë vende, ndër to edhe Austrinë dhe Gjermaninë, i shoqëron një automjet. Kur u nisën të premten në mëngjes nga Novi Sad, një nga pjesëmarrësit tha se ata po vraponin për një “Serbi më të mirë dhe demokratike”.
Çiklistët në Strasburgu
Vetëm një javë e gjysmë më parë një grup prej 80 studentësh serbë që u nisën me biçikletënga Novi Sadi u takuan në Strasburg me përfaqësues nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës.
Atmosfera në Serbi vazhdon të jetë e acaruar. Studentët, që muajt e fundit po organizojnë protestat më të mëdha në historinë e Serbisë, e akuzojnë qeverinë Vuçiç për korrupsion, mungesë të lirisë së mediave dhe drejtim autoritar./ DW