16 vite nga masakra e Gërdecit/ Zamira Durda: Të hetohet piramida shtetërore, vrasjet u kryen për korrupsion

Familjarët e viktimave të Gërdecit vendosën sot lule tek memoriali i ngritur pranë vendit ku më 15 mars 2008 ndodhi masakra e Gërdecit. Sot bëhen 16 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku ende nuk ka një përgjegjës për atë çka ndodhi, në vendin ku po demontoheshin armët.

Ndërkohë mes viktimave kishte edhe fëmijë, që punonin në Gërdec në demontimin. Për mediat foli Zamira Durda e cila ka humbur djalin në këtë tragjedi.

A më mbështesni mua, a jam vetëm apo jeni me mua? Dua ta dëgjoj një zëri me ju! Ose ngrini dorën ose fliteni me zë të lartë! Të paktën të mos bëhet më kjo pyetje që a je vetëm. Kërkoj drejtësi për djalin tim por duke kërkuar për djalin tim kërkoj edhe për ju. Faleminderit të gjithëve. Shpresoj te SPAK.

Nga fshati Gërdec raporton gazetari i Report TV Sokol Dema, ku familjarët e 26 viktimave bëjnë homazhe me lule në duar tek memoriali me emrat e atyre që humbën jetën nga shpërthimit tragjik. Shumë të tjerë mbetën të plagosur nga ajo masakër dhe të tjerë mbetën dhe invalidë.

Familjarët kërkojnë drejtësi për krimin shtetëror dhe thonë se nuk do të gjejnë qetësi derisa të ngrihet akuza e vrasjes për korrupsion. Ndërsa Durda shton se nga seancat e zhvilluara deri më tani në SPAK ndihet e fyer.

‘Por sa shikoj nga seancat, jemi fyer. Në një sallë me prokurorët gjyqtarja, familjarët, gazetarët, pyetjet që bëhen janë të një niveli qesharak që ofendojnë viktimat. Kam folur disa herë por më thonë mos fol. I bëri pyetje ish-drejtori juridik dhe tha në gjyq se Mediu ishte njishi. Është njishi se ka vrarë 26 njerëz, qindra të plagosur. Kjo është për turp por edhe na fyejnë. Në emër të 26 personave do bërtas. Përballë jush do ta ngre zërin.’

Ajo shton se në seanca bëhen pyetje qesharake ndaj Mediut, teksa ai përballet me ish-drejtor me të cilët ka punuar dhe kjo është një lloj presioni sipas saj.

‘Por ama drejtësia me sa shoh i bëhen pyetje qesharake. Ministri nuk pranon të përgjigjet pyetjeve të SPAK është e turpshme. Ai s’ka ça thotë tjetër, do mbrohet. Por pyetjet që janë bërë janë qesharake. Ai po vjen çdo seancë dhe ka përballë punonjësit e vet që ka patur. Dhe është një presion. Por një drejtor juridik të thotë Mediu është njishi.’, shtoi ajo.

Së fundmi ajo thotë se ndaj Mediut duhet ngritur akzua për vrasje, ndaj tij dhe kujtdo që ka gisht. Akuzat për korrpusion nuk sjellin drejtësi sipas saj për 26 viktimat. Përndryshe ajo paralajmëron vetë-drejtësi.

‘Po zhgënjehem nga dita në ditë, edhe në dyert e SPAK. Të pranojnë ato pyetje, mos flitet për viktimat. Vazhdojnë me akt administrative, a firmose ti a more në telefon. I kanë lënë viktimat fëmijët pa rritur. Kam thënë që Gërdeci është krim shtetëror dhe duhet hetuar piramida shtetërore. Për sa kohë nuk ngrihet akuza e vrasjes për korrupsion nuk më intereson fare. Po nuk u ngrit akuza e vrasjes nuk ka drejtësi. Do ngrihemi vetë të bëjmë drejtësi.’, përfundon Durda.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com