Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”.
Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar A. K., 39 vjeç, banues në Pejë.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte ky shtetas, u gjetën 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 39-vjeçarit.
Vijojnë hetimet e përbashkëta për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
/a.r