100 ditët e dështimit të Donald Trump në Ukrainë

Vladimir Putin dhe negociatorët e tij padyshim kanë arritur t’i mashtrojnë homologët e tyre amerikanë, duke shprehur në mënyrë cinike mbështetje për një proces paqeje në Ukrainë, të cilin nuk kanë ndërmend ta ndjekin. Pas shumë javësh negociatash të tilla, edhe negociatorët më të trashë do ta kishin kuptuar tashmë se çfarë po ndodh.

Nga Carl Bild

Kanë kaluar gati 100 ditë që kur Donald Trump u rikthye në presidencën e SHBA-së dhe raketat ruse vazhdojnë të bien mbi civilët ukrainas. Pavarësisht premtimit të Trump për t’i dhënë fund luftës që në “ditën e parë”, paqja nuk duket askund. Kur do ta pranojë administrata se po dështon?


Kërkesat fillestare të Trump ishin të drejtpërdrejta: ndaloni luftimet dhe filloni negociatat. Pas bisedës së tij të parë me presidentin rus Vladimir Putin, ai njoftoi se një ndërprerje e plotë e luftimeve ishte e afërt dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mirëpriti këtë perspektivë.

Megjithatë, që atëherë, Putin dhe ekipi i tij i vogël në Kremlin padyshim që kanë arritur ta zvarrisin negociatorin e papërvojë të Trump, Steve Witkoff, me kushtëzime komplekse dhe kërkesa të pamundura. Pas shumë javësh, edhe negociatorët më budallenj duhet ta kenë kuptuar se Putin nuk ka ndërmend të bjerë dakord për një armëpushim ose të pranojë planin ose kalendarin e Trump.

Që kur nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë në shkurt 2022, Putin është mbështetur te fuqia ushtarake ruse për të marrë kontrollin e olitë mbi Ukrainën. Ai hyri me një ushtri prej rreth 200,000 ushtarësh me kontratë, por që atëherë e ka zgjeruar forcën pushtuese në rreth 600,000 me mobilizime selektive dhe stimuj të mëdhenj financiarë. Megjithatë, pavarësisht se pësoi 700,000-800,000 viktima, me më shumë se 200,000 të vdekur, ushtria ruse, që supozohet të jetë e fuqishme, kontrollon më pak territor ukrainas – 18.3 për qind për të qenë të saktë – sesa kontrollonte në këtë kohë tre vjet më parë.

Kështu, në terma ushtarakë, lufta e Putin ka qenë një dështim masiv. Ai ndoshta ende beson se forcat e tij mund të ecin përpara me forcë dhe të arrijnë një përparim ushtarak. Por pak vëzhgues të pavarur shohin shumë mundësi që kjo të ndodhë. Rusia mund të jetë në gjendje të dërgojë më shumë njerëz dhe bomba në betejë sesa Ukraina, por ajo nuk mund të ngjallë tek ata në vijën e parë vullnetin për të luftuar. Deri më tani, mbrojtja ka rezultuar shumë më e lehtë sesa sulmi. Kjo do të thotë që Putin varet më shumë nga Trump sesa nga ushtria ruse për të ofruar diçka që mund të quhet fitore.

Kështu, Putin ka vendosur në dispozicion të tij të gjitha burimet për të luajtur me Trump-in. Të gjithë e dinë se presidentit amerikan i pëlqejnë shumë lajkat dhe Putin e ka tepruar duke argumentuar se zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2020 ishin “të vjedhura” dhe se lufta nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse Trump do të ishte në detyrë. Ai do që ne të besojmë se ai shkoi në faltoren e tij private për t’u lutur për Trump-in pas atentatit në vitin 2024 dhe madje i ka kërkuar artistit të oborrit të Kremlinit të pikturojë një portret të Donald Trump si dhuratë për të.

Përveç lajkave, rusët kanë ofruar edhe perspektiva fitimprurëse biznesi për Trump dhe Witkoff. Në takimin e parë midis negociatorëve amerikanë dhe rusë në Riad, ekipi i Putin solli një listë me mundësi investimi prej shumë miliardë dollarësh që supozohet se do të bëheshin të disponueshme nëse Trump do të hiqte dorë nga Ukraina dhe do të hiqte sanksionet kundër Rusisë. Sipas Witkoff, një pjesë e mirë e takimit të tij të fundit me Putin iu kushtua kësaj teme.

Të dyja taktikat kanë funksionuar qartë. Putin e di mirë punën e tij dhe e njeh shumë mirë kundërshtarin e tij. Nuk ka pasur armëpushim, as nuk ka shenja se Putin është gati të bjerë dakord për diçka të tillë. Ai ka vazhduar të kryejë sulme ndaj objektivave civilë në qytetet ukrainase pa u ndëshkuar.

Kërkesat e Kremlinit në pseudo-negociatat e tij duket se kanë qenë të dyfishta. E para është që Ukraina të dorëzojë katër rajonet e Luhanskut, Donetskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit. Witkoff duket se e ka pranuar tashmë këtë: SHBA-ja është gati të njohë të katër territoret e pushtuara ilegalisht si pjesë të Rusisë.

Por Rusia nuk i kontrollon plotësisht këto rajone. Kryeqytetet rajonale të Zaporizhzhisë dhe Khersonit – qytete me një popullsi të kombinuar prej një milion banorësh para luftës – ende valëvitin flamurin ukrainas dhe asnjë qeveri në Kiev nuk do të mund të mbijetonte nëse thjesht do t’i dorëzonte ato. Ukraina mund të jetë në gjendje të pranojë një konflikt të ngrirë përgjatë vijës aktuale të frontit, por zor të pranojë më shumë se kaq.

Kërkesa e dytë është për dominim sigurie dhe kontroll mbi pjesën tjetër të Ukrainës. Putin dëshiron të bllokojë çdo prani të ardhshme ushtarake ose sigurie Perëndimore në Ukrainë. Trump tashmë është dorëzuar në çështjen e anëtarësimit të ardhshëm në NATO për Ukrainën dhe ai është padyshim i përgatitur t’i premtojë Putin-it një ndalim të plotë të ndihmës së SHBA-së.

Por këtu hyjnë në skenë evropianët. As Putin dhe as Trump nuk i donin ata në tryezë – dhe kjo s’ka problem. Për sa kohë që evropianët vazhdojnë të jenë të palëkundur në vendosmërinë e tyre për të vazhduar të ndihmojnë Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht, Putin dhe Trump mund të bien dakord për çfarëdo që duan. Kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim material në terren.

Kështu, Evropa ka në dorë letrën fituese. Nëse ajo arrin të mbledhë vullnetin politik, do të jetë plotësisht në gjendje të parandalojë një tradhti të turpshme të Ukrainës në stilin e Mynihut. Liderët evropianë duhet ta bëjnë të qartë se do të vazhdojnë me planet e tyre për të mbështetur mbrojtjen dhe sovranitetin e Ukrainës pavarësisht gjithçkaje.

Në teori, vetë Trump mund të ndryshojë kurs duke ushtruar presion serioz ndaj Putin-it dhe duke rritur mbështetjen për Ukrainën. Nëse kjo do të ndodhte, ai do të mund të arrinte armëpushimin që kërkon. Në të kundërt, ai do të vazhdojë të dështojë, ndërsa Putin dhe miqtë e tij tallesh me të pas shpinës së tij.

Stylish GIF

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *