• 10/06/2023

ZGJEDHJET VENDORE 2023 – Qytetarët u drejtohen kutive të votimit, probleme teknike në disa qendra votimi

 ZGJEDHJET VENDORE 2023 – Qytetarët u drejtohen kutive të votimit, probleme teknike në disa qendra votimi

-Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

-Mbi 3.6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.

-Për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë, në garë janë 144 kandidatë.

-Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi.

-Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.



Ora 08:24 – 80 qendra votimi në Bashkinë Shkodër probleme me sistemin

Në qytetin e Shkodrës ka probleme me sistemin në 80 qendra votimi dhe akoma nuk ka nisur procesi zgjedhor. Gazetarja e Klan News, Emi Kalaja raporton nga Shkodra se përveç këtyre qendrave, në qendrat e tjera të votimit, procesi zgjedhor ka nisur normalisht dhe janë shfaqur votuesit e parë.

Emi Kalaja nga Shkodra: Procesi i votimi në Shkodër në 80 qendra nga 247 qendra në total që ka Bashkia Shkodër ka probleme me sistemin. Në 80 qendra akoma nuk ka nisur procesi i votimit, ashtu siç parashikohej që në 07:00. Në 80 qendra ka probleme me sistemin dhe akoma nuk ka nisur procesi i votimit. Në qendrat e tjera ka nisur normalisht, janë shfaqur votuesit e parë. Ka nisur në shumicën e qendrave të votimit procesi.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli nga Vau i Dejës raporton se në shumicën e qendrave të votimit ka nisur procesi zgjedhor, ndërkohë që problem mbetet vetëm në një qendër për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve.

Enkel Xhangoli nga Vau i Dejës: Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur procesi i votimit. Në qendrën e votimit ku unë ndodhem nuk ka nisur akoma procesi, për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve. Në Vaun e Dejës ka nisur sipas rregullave në shumicën e qendrave të votimit. Nuk janë shënuar incidente dhe as raste denoncuese nga ana e qytetarëve. Gjithçka vijon normalisht, përveç një prej qendrave. Votojnë 40 mijë qytetarë.  Ky proces po vijon normalisht.


Ora 08:21 – Policia e Shtetit: Asnjë problem me qendrat e votimit dhe materialet zgjedhore

Policia e Shtetit raporton se asnjë problem nuk është konstatuar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisionerët e QV-ve, mëngjesin e sotëm.

Punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të planëzuar me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore, nisën prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 14 maj 2023,  dorëzimin e qendrave të votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.

Shërbimet e policisë, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e qendrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.

Punonjësit e policisë që kanë dorëzuar qendrat e votimit janë përqendruar në stacionet e përkohshme policore, të miratuara nga KQZ-ja, siç e përcakton ligji.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.


Ora 08:12 – Gazetarja raporton nga Himara: Ka pasur dyndje qytetarësh në 36 qendrat e votimit

E vetmja problematikë e shënuar deri më tani në 36 votimi të bashkisë së Himarës, ka të bëjë me pajisjen e identifikimit biometrik.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka raportuar se atje situata paraqitet e qetë, duke theksuar se që në orët e para të mëngjesit ka pasur një dyndje të qytetarëve për të votuar.

Në 36 qendra votimi të bashkisë së Himarës ka nisur procesi i votimit, në 3 prej tyre ka ende problematika, sepse nuk kanë ditur të ndezin pajisjen dhe ka pasur mungesë të operatorëve teknikë. 7 qendra votimi nuk janë hapur që në orën 07:00 të mëngjesit, por më vonë për shkak të mungesës së komisionerëve. Në 4 qendra votimi të bashkisë së Himarës që në orët e para të mëngjesit ka pasur një dyndje qytetarësh të cilët kanë shkuar për të votuar.”

Daci thekson se rreth 5 autobusë të mbushur me emigrantë kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Himarë, për t’ju bashkuar procesit të votimit.

Situata duket e qetë ndërkohë që deri në orët e vona të ditës së djeshme kanë mbërritur 5 autobusë me emigrantë për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.


Ora 08:11 – Nis me probleme teknike votimi elektronik në një qendër në Elbasan

Në qendër votimi në Elbasan ka nisur me probleme teknike ky proces.

Korrenspondenti Fatos Salliu raporton se bëhet fjalë për qendrën e votimit 23/69, ku pajisja e identifikimit nuk rakodon me pajisjen që do të kryhet votimi elektronik, pasi i përket një qendre tjetër votimit.

Për këtë problem teknik është njoftuar KQZ dhe po pritet që të zgjidhet kjo problematikë.

Ndërkohë në qendrat e tjera të votimit nuk raportohet për probleme dhe situata është e qetë.

Në Elbasan votojnë 171,250 qyterarë dhe për herë të parë në këtë qytet aplikohet votimi dhe numërimi elektronik.


Ora 08:06 – Votimi elektronik në Vorë nis me vonesë në disa qendra, problemi teknik krijon radhë qytetarësh

Vora, Elbasani dhe Kamza votojnë sot elektronikisht. Nga Vora, gazetarja e Klan News Dorentina Halili shprehet se ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi dhe për pasojë janë krijuar radhë qytetarësh në disa qendra për të votuar.

Dorentina Halili nga Vorë: Jo në të gjitha qendrat e votimi ka nisur procesi që në orën 07:00. Ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi. Ka pasur problematika me pajisjet elektronike. Procesi ka nisur 30-40 minuta me vonesë. Tashmë ky proces ka nisur në të gjitha qendrat e votimit të Vorës. Kemi qytetarë në radhë që kanë ardhur për të votuar. Janë krijuar radhë pasi ka pasur vonesa. Nuk ka pasur problematika të tjera. Ka pasur problematika dhe me kamera që jo të gjitha kanë funksionuar, por është dashur ndërhyrja e teknikëve. Në minutat e para të nisjes së këtij procesi, nuk ka pasur shumë qytetarë, por pastaj qytetarët janë grumbulluar dhe aty ku ka pasur problematika ka pasur radhë.

Gazetarja e Klan News, Halili ka marrë në pyetje një nga komisoneret në qendrën e votimit në Vorë, e cila është shprehur se problemi ka qenë tek pajisjet dhe për pasojë ka pasur një vonesë prej 20 minutash.

“Rreth 20 minuta, ka qenë një problem i vogël teknik tek pajisjet. Nuk ka pasur më problematika. Familjarët janë që i ndihmojnë për të votuar elektonikisht. Vetëm ata lejohen.”

Edhe Kamza voton sot në mënyrë elektronike. Gazetarja e Klan News, Erikleda Dorezi raporton nga Kamza se nuk ka pasur asnjë problematikë në këtë bashki lidhur me procesin elektonik të votimeve.

Erikleda Dorezi nga Kamza: Në Kamëz, votimi dhe identifikimi është elektronikisht. Procesi ka nisur në mënyrë të rregullt, nuk ka pasur asnjë problematikë. Kemi në total 109 mijë zgjedhës, 56 mijë meshkuj dhe 53 mijë janë femra. Nuk ka pasur problematikë. Në krah të votuesve, procedohet dhe me ndihmën e një operatorit teknik që ju ofron ndihmë, por gjithmonë duke ruajtur fshehtësinë e votës.


Ora 08:00 – Nis me problematika votimi në disa qendra në Qarkun e Dibrës

Ka nisur me problematika procesi i votimit në disa qendra votimit në Qarkun e Dibrës.

Në qendrën e votimit 1101 në Maqellarë mungon proces-verbali i hapjes së kësaj qendre votimit.

Në Kastriot, në një qendër votimit nuk ka energjie elektrike.

Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 qendra votimi nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar manualisht.


Ora 07:51 – “Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë”

Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë. Informacionin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan News Klesiana Omeri.

“Një tjetër problematikë është dhe për numrin e operatorëve teknikë, në rreth 100 qendra e votimi në vend nuk kanë asnjë operator teknik. Rreth 100 prej tyre janë tërhequr nga aplikimi dhe marrëveshja që kanë bërë me KQZ, pritet që në këto qendra votimi të kryhet në mënyrë tradicionale. S’ka informacion nëse janë zëvendësuar komisionierët në qendrat ku ka pasur problematika, sepse thuhet se dhe me 4 komisionerë mund të funksionojë, problematike janë 17 qendra me 3 anëtarë.”

Po ashtu, gazetarja bën me dije se këtë mëngjes ka pasur probleme dhe me pajisjen e identifikimit biometrik në disa qendra në kryeqytet.

Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur dhe procesi i votimit për qytetarët, ndërkohë KQZ ende nuk ka një njoftim zyrtar se në sa qendra ka problematika me sistemin e pajisjes, në një prej tyre ku ka shkuar të votojë dhe Ilirjan Celibashi dhe është hasur me problematika me pajisjen e identifikimit biometrik”, deklaroi gazetarja.

Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një njoftim zyrtar. Mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote ftohen këtë të Dielë të votojnë për të zgjedhur  61 drejtuesit e rinj të bashkive të vendit mes 144 kandidatëve.


Ora 07:42 – Gjiknuri mesazh për qytetarët: Dilni masivisht në votime, vendosni për fatin e bashkive tuaja

Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri iu është drejtuar me një mesazh të gjithë qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të vendosin për fatin e bashkive të tyre.

Në mesazhin e tij, Gjiknuri ka bërë thirrje që të gjithë strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur fushatën zgjedhore.

Damian Gjiknuri: Sot është 14 Maji, një ditë që është kushtrimi i votës tuaj. Dua të ju bëj thirrje të dilni masivisht në votime dhe të merrni pjesë për të vendosur për fatin e bashkive tuaja. Gjatë kësaj fushate që ka qenë një fushatë shumë e qetë dhe shumë qytetare, ajo që fitoi në këtë fushatë ka qenë qetësia, maturia dhe qytetaria, shpresojmë që kjo gjë të shkojë deri në fund dhe të gjitha strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur një fushatë të mrekulleshme që i ka pasur hije këtij qarku. Më e rëndësishme është të vendosni për fatin e familjeve tuaja dhe çdo shqiptar do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për të ecur përpara.


Ora 07:38 – Incident në Kolonjë, dhunohet kandidati i PS Erion Isai

Kryebashkiaku i Kolonjës dhe kandidati i PS për një tjetër mandat në këtë bashki, Erion Isai është goditur fizikisht në mesnatë.

Siç mëson korrenspondentja e Klan News Danjela Zisi, kryebashkiaku ka qenë në fshatin Qinam duke u kthyer në banesën e vet, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ethem Lumani së bashku me disa simpatizantë të opozitës kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar.

Njëri nga simpatizantët e PD, Esmerald Kacolli, që kishte bllokuar rrugën i është afruar Isait duke e goditur me grusht në fytyrë. Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i Bashkisë Kolonjë ka denoncuar rastin në komisariatin e policisë.

Ndërsa sipas shtabit të kandidatit të opozitësm këta të fundit kishin marrë një informacion që në fshatin Qafëzez, Erion Isai me stafin po kryenin fushatë dhe se po shpërndanin para. Grupi i mbështetësve të opozitës ka shkuar në fshat. Mes palëve ka patur shtyrje. Truprojat e Isait kanë shtyrë kandidatin e koaliconit “Bashkë Fitojmë”, E’them Lumani, po ashtu edhe kryetarin e PS Aldo Xhelili. Në këtë moment ka ndërhyrë një nga simpatizantët e koalicionit opozitar dhe ka goditur kryebashkiakun Erion Isai. Shoqëruesit e këtij të fundit njoftuan policinë për incidentin.

Për ngjarjen është bërë denoncim edhe nga ana e kandidatit Lumani.

Pas veprimeve proceduriale të policisë, Xhemal Kalo është proceduar penalisht në gjendje të lirë për pëngimin e qarkullimit të automjeteve. Ndërsa Esmeraldo Kacolli është arrestuar për akuzën e goditje për shkak të detyrës ndaj kryebashkiakut të Kolonjës Erion Isai.


Ora 07:00 – Nis zyrtarisht procesi i votimit

Janë hapur qendrat e votimit në Shqipëri, sipas orarit zyrtar për të votuar. Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit nga ky moment e deri në orën 19:00 kur dhe mbyllet ky proces, e më pas nis ai i numërimit të votave.

Në zgjedhjet vendore të 14 Majit votohet për 61 kryetarë bashkie dhe për këshillat bashkiakë. Janë mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote që do të zgjedhin mes 144 kandidatëve për kryebashkiakë.

Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.

Për një vend në këshillat bashkiakë janë regjistruar 23 mijë e 700 kandidatë për 1603 pozicione. 44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga të cilat 38 janë jashtë koalicioneve.

Të ngjashme