Zbulohen 710 bimë kanabis në Lezhë, arrestohet kultivuesi, në kërkim një 33-vjeçar që…

LEZHË
Evidentohet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Mërqi. Asgjësohen nëpërmjet djegies, 710 bimë narkotike cannabis sativa.
Vihet në pranga një 40-vjeçar që u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në zbatim të planit operacional për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjences policore, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 36-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar “Imazhi”.

Gjatë operacionit, në fshatin Mërqi, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike, shtetasin V. M., 40 vjeç, banues në fshatin Mërqi.
Gjatë kontrollit të territorit, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara 710 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim shtetasi N. P., 33 vjeç, banues në fshatin Mërqi, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur pompa që shërbenin për vaditjen e bimëve narkotike.
Vijon puna për kapjen e shtetasit N. P. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.