• 27/03/2023

Zbardhet programi qeverisës “Rama 3”, pesë shtyllat ku është fokusuar

 Zbardhet programi qeverisës “Rama 3”, pesë shtyllat ku është fokusuar

Pas betimit të deputetëve, zgjedhjes së kryetares së Kuvendit dhe dekretimit të Ramës si Kryeministër nga Meta është radha që fituesi i zgjedhjeve të 25 Prillit të marrë besimin e Parlamentit.

Të enjten, në orën 10:00 do të nisë seanca parlamentare që do të miratojë kabinetin e ri qeveritar dhe programin e saj politik, të cilin do ta lexojë Rama në foltoren e Kuvendit.

Klan News ka siguruar programin e tretë qeverisës të mazhorancës socialiste ku përmenden edhe pikat kryesore të fokusit të qeverisë së ardhshme.

“Rama 3” do të fokusohet tek rimëkëmbja, mirëqenia, modernizimi, familja dhe forcimi i Shqipërisë në drejtësi, por edhe në integrimin europian.

Në të thuhet se programi është konceptuar si një plan i kujdesshëm dhe i detajuar reformash dhe aksionesh, që synon të materializojë në çdo qelizë të qeverisjes vizionin “Shqipëria 2030”.

Do të jenë 5 objektiva në mënyrën si synon qeveria që të ndërtojë hap pas hapi të ardhmen eurpiane duke u mbështetur tek këto pika kryesore që u përmendën më lart.

“1.Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia;

2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.

3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;

4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;

5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë”, thuhet në program.

“Qeverisja nuk është zanat, por mandat i deleguar nga populli për ta ngjitur vendin më lart në shkallën e zhvillimit. Mandati i tretë i kësaj mazhorance është historik dhe vendimtar për Shqipërinë e dekadës që sapo ka filluar dhe sidomos për hapat që do të shoqërojnë të ardhmen e fëmijëve tanë”, thuhet ndër të tjera.

Sa i përket rimëkëmbjes thuhet se mandati nis me përgjegjësinë e ringritjes pas fatkeqësive. Po ashtu përsëritet zotimi se shqiptarët do të kenë mundësinë të vaksinohen deri në pranverën e vitit 2022.

Sa i përket rindërtimit çdo familje që mbeti pa shtëpi do të marrë një të re. “Në fund të pranverës 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit”.

Falë vizionit të qeverisë, shenjat e para të shërimit ekonomik janë marrë që tani, por vitin e ardhshëm doo të jetë i plotë. Po ashtu thuhet se do të nxitet një ekonomi e fortë prodhuese që të kalohet në nivelin tjetër ku të promovohet prodhimi i markave “Made in Albania” për të konkurruar globalisht.

“Shqipëria do të jetë një qendër rajonale për sipërmarrjet e reja në ekonominë digjitale, duke siguruar punë dinjitoze për të rinjtë e vendit”.

Po ashtu parashikohet që Shqipëria  të jetë një vend eksportues neto i energjjisë elektrike në të gjithë rajonin. Një objektiv madhor i mandatit  të tretë të Ramës do të jetë ndërtimi i një sistemi arsimor të akksesueshëm dhe me infrastrukturë moderne.

“Shoqëria e dijes është vizioni ynë për Shqipërinë 2030. Atdhedashuria që ushqehet dhe rritet me brezat e rinj, në një sistem arsimor që i edukon, sfidon, frymëzon dhe brumos fëmijët me dashurinë për vendin, por edhe i përgatit ata për të qenë konkurrues me të ngjashmit e tyre në botë”.

Po ashtu në një pjesë të rëndësishem të programit fllitet për shtetin e së drejtës, ku thuhet se reforma në drejtësi do ta çojë vendin aty ku aspiron. Çështja e pronës po ashtu do  të ofrojë më shumë siguri për qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare si dhe do të nxisë investimet e huaja.

Sa i përket politikës së jashtme thuhet se ,“Europa e Bashkuar është busulla  jonë dhe familja natyrale të cilës I përkasim, por ku ende mungojmë. Politika jonë e jashtme është  aleanca e patjetërsueshme strategjike me SHBA dhe BE”./

Të ngjashme