Vrasja e Eglantina Bucit, gjykata dënon me 50 vite burg në total babë e bir

Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës ka dënuar me 50 vite burgim në total babë e bir Faik dhe Shkëlzen Buci për vrasjen e Eglantina Bucit.
Shkëlzen Buci është dënuar me 25 vite për vrasjen e motrës së tij Eglantinës, po kështu edhe babai i tij Faik Buci me 25 vite për vrasjen e vajzës.
Ata akuzohen për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Krimi i rëndë ka ndodhur në vitin 2012, por u zbulua në vitin 2020 kur u arrestuan Faik dhe Shkelzën Buci pas dëshmië së dëshmitarit Miklar Tola.
Sipas prokurorisë, Eglantina Buci u vra nga vëllai i saj Shkëlzen Buci me urdhër të babait të tyre Faik Buci. Më pas trupin e saj e varrosën në Malin me Gropa.
Por Faik dhe Shkëlzen Buci i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, që Faik Buci ka dhënë nga burgu në vitin 2021, ka thënë se fillesat e ngjarjes janë që në vitin 2008, kur vajza e tij u largua nga banesa dhe kishte marrë me vete një shumë parash prej 18.5 milionë Euro.
Faik Buci pretendonte se vajza e tij ishte trafikuar për qëllime prostitucioni. Ai kishte deklaruar se kishte bërë denoncim për largimin e vajzës nga banesa dhe vjedhjen e parave. Pasi e gjeti vajzën, Faiku rrëfen se Eglantina i kishte thënë që nuk dëshironte të kthehej sërish në banesë.
Sa i përket shumës së parave prej 18.5 milionë Lekësh që ishin vjedhur, ai tregon se vajza e mohoi fillimisht marrjen e parave, por më pas pranoi që kishte marrë lekët.