Në demokracitë funksionale, rotacioni politik pas një periudhe të gjatë qeverisjeje është një normë e paravendosur. Pas rreth 12 vitesh në pushtet, çdo qeveri konsumon kapitalin e saj politik dhe përballet me lodhjen publike. Në këto kushte, qytetarët shpesh kthejnë sytë drejt alternativave të reja – zakonisht opozitës – për të sjellë ndryshim dhe freski politike. Por në Shqipëri ndodh një fenomen përmbysës: pas më shumë se një dekade qeverisjeje të Partisë Socialiste, rritja e votave nuk po shkon drejt opozitës tradicionale, por drejt partive të reja, të cilat përherë e më shumë po përvetësojnë rolin e opozitës reale. Kjo nuk është pasojë e një mazhorance të suksesshme, por një pasqyrë e dështimit të lidershipit të Partisë Demokratike për të qenë një alternativë besueshme dhe mobilizuese.
Në vende të tjera, kur opozitat tradicionale nuk arrijnë të përfaqësojnë ndryshimin e pritur, qytetarët krijojnë ose mbështesin forca të reja politike që zëvendësojnë të vjetrat. Në Francë, shembulli më domethënës është shfaqja e “La République En Marche” e Emmanuel Macron në vitin 2017. Kjo parti e re rrëzoi rendin tradicional të politikës franceze, duke marginalizuar të dy kampet historikë – socialistët dhe republikanët – për shkak të mungesës së lidershipit bindës dhe dështimit për të reflektuar mbi humbjet.
Ngjashëm, në Greqi, rritja e Syriza-s si forcë politike në vitet e krizës ekonomike ishte pasojë e humbjes së legjitimitetit të partive tradicionale si PASOK-u dhe Demokracia e Re. PASOK-u, dikur një nga partitë më të mëdha, u zhduk pothuajse nga harta politike për shkak të lidhjes së tij me keqqeverisjen dhe mungesën e një riorganizimi të besueshëm.
Në Itali, rasti i “Movimento 5 Stelle” është edhe më ilustrues. Kjo forcë antisistem u ngrit si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj dështimeve të klasës politike tradicionale dhe mungesës së alternativave të reja brenda sistemit ekzistues.
Në të gjitha këto raste, votuesit nuk qëndruan indiferentë – ata kërkuan përfaqësim dhe ndryshim jashtë kufijve të partive të vjetra. Në Shqipëri, kur opozita tradicionale nuk përçon dot një vizion të qartë, kur është përçarë dhe përfshirë në konflikte të brendshme të pafundme, nuk është e çuditshme që qytetarët të kërkojnë përfaqësim tek forcat e reja politike. Ato perceptohen si më të pastërta, më të drejtpërdrejta dhe më larg fajësive të së shkuarës.
Në këtë kuptim, fakti që pas 12 vitesh qeverisje të pandërprerë të socialistëve, votat nuk po rrjedhin drejt Partisë Demokratike, por drejt partive të reja opozitare, është një aktvotë mosbesimi jo ndaj qeverisë – por ndaj opozitës zyrtare. Dhe kjo flet më shumë për dështimin e saj për të ndërtuar besim, për të ringritur një projekt të qartë dhe për të ofruar lidership frymëzues, sesa për ndonjë sukses të jashtëzakonshëm të qeverisë.
Për të rikuperuar rolin e saj si alternativë serioze dhe për të mos përfunduar në margjinat e politikës si PASOK-u apo socialistët francezë, Partia Demokratike ka nevojë për një riformatim të thellë, një lidership të ri që nuk mbahet në pushtet me rrënjë të vjetra, por me ide të freskëta dhe me një projekt të gjerë kombëtar.