08/02/2023

Fatin e tij se do të përfundonte prapa hekurave, ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duket se e ka parashikuar 5 vite më parë, kur ai ka bërë një deklaratë në një emision televiziv.

Sot (4 shkurt) ai u dënua nga GJKKO me 3 vite e 4 muaj burg, por 5 vite më parë kishte deklaruar se ai mund të përfundonte në burg me ata që vetë ka arrestuar.

Në atë kohë Tahiri ka deklaruar gjithashtu se e priste që një ditë i gjithë llumi do t’i vinte përballë.

“Nuk kam asnjë surprizë në këtë histori, e prisja ta shihja një ditë, që i gjithë llumi të më vinte përballë dhe mua mund të më ndodhë që të shkoj të bëj burg me ata që kam arrestuar vetë, mund të më ndodhë,”-thoshte dikur Tahiri në një intervistë për Opinion në 19 tetor 2017.

DENIMI

Gykata e Posaçme e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dënoi sot me 5 vite burgim ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 3 vite e 4 muaj burgim.

Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e marrë në vitin 2019 nga Gjykata e atëhershme e Krimeve të rënda, por me ndryshimin që dënimin ai do të duhet ta vuajë në burg dhe jo me shërbim prove, nisur nga “pozita dhe funksioni kushtetutes përgjatë kohës së kryer së veprës penale: Përmasën e cënimit të interesave shtetërore; Shtrirjen në kohë dhe hapësirë të veprës penale dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe veprës”