• 27/03/2023

“Vetëvrasja e Katsifas”, gjykata kthen dosjen

 “Vetëvrasja e Katsifas”, gjykata kthen dosjen

Gjykata e Gjirokastrës nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve për vdekjen e Kostantin Katsifas në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Përmes një njoftimi për shtyp, togat e zeza bëjnë me dije se kanë vendosur kthimin e çështjes duke urdhëruar kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore sipas parashikimeve ligjore. Në deklaratë thuhet se aktualisht dosja ndodhet në fazën e përmbushjes së këtyre detyrimeve.

Prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes për shkak se pas ekspertizës mjeko-ligjore të trupit dhe ekspertimit balistik të armës, është arritur në përfundimin se Katsifas ka kryer vetëvrasje. Sipas Prokurorisë, veprimet e RENEA ishin korrekte gjatë aksionit për kapjen e tij dhe se minoritari grek kreu vetëvrasje.

Katsifas ndërroi jetë më 28 Tetor 2018, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA. 35-vjeçari ishte pjesë e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore, ndërsa ditën e festës kombëtare greke, që përkujton fillimin e luftës me Italinë, ai qëlloi me kallashnikov ndaj një patrulle policie që ndodhej në fshat duke rrezikuar jetën efektivëve, që fatmirësisht shpëtuan.

Pas lokalizimit nga policia në Bularat, Katsifas nuk iu bind urdhrit për të për t’u dorëzuar. Ai hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë në breshëri për më shumë se 30 minuta. Vdekja e tij solli jo pak tensione me Greqinë, ndërsa familjarët e 35-vjeçarit kanë ngritur një sërë pretendimesh për këtë çështje.

Të ngjashme