26/01/2023

Kantautori i njohur Boiken Lako u dënua ditën e sotme 3 vite burg, që u konvertuan në shërbim prove nga Gjykata e Tiranës në lidhje me një ndërtim të paligjshëm te rruga “Shefqet Musaraj” në kryeqytet.

Shkak për dënimin e tij janë bërë punimet e kryera në ambientet e një godine të marrë me qera me qëllim ndërtimin aty të një studioje muzikore.

Hetimi ndaj Lakos nisi pas një denoncimi nga një qytetar në polici, se në ambientet e një godine në bllokun e ish-magazinave tek ish-NISHARAKU, po kryheshin punime pa leje.

Sipas shkresës nga IMT-ja Bashkia Tiranë, thuhet në vendimin e gjykatës, inspektorët kanë konstatuar se po bëheshin punime pa dokumentacion në objekt, që konsiston në hapjen e katër dritareve në njërën faqe të objektit, me përmasa 75x140cm dhe 120x140cm, në katin e dytë të ndërtesës. Ndaj Lakos është mbajtur proces-verbal i konstatimit të kundravajtjes më 17 Shkurt 2021, ndërsa më 26 Shkurt është dënuar me 50.000 lekë gjobë.

“Në Komisariatin e Policisë Nr.2 është njoftuar me telefon nga një qytetar, se në rrugën “Shefqet Musaraj”, tek një ndërtesë 2-katëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë këqyrjes është konstatuar se kjo godinë ishte në bllokun e ish-magazinave tek ish-NISHARAK.

Nga këqyrja ka rezultuar se në katin e dytë ishte një ambient holl, me përmasa 30 m2 me 7 të përshtatura në dhoma, ku po kryheshin punime ndërtimore. Në dhomën e parafundit nga ana lindore ishte hapur një mur, me përmasa 120×100 cm, një dritare, në dyshemenë e kësaj dhome kishte materiale inerte, tulla dhe llaç, në dhomën e fundit ishte vendosur një dritare duralumini, të gjitha ambientet e brendshme ishin të ndara në dhoma, nuk kishte dyer të vendosura, tavani i hollit të ambientit ishte i pa suvatuar, por i shtruar me parket laminat”, thuhet në dosjen hetimore.