
Një shtetas shqiptar i dënuar për shpërndarje të lëndëve narkotike është duke përdorur ligjin europian për të shmangur deportimin nga Britania e Madhe kur të përfundojë burgun.
Eldjord Ajazi, një korrier në biznesin e kokainës, mendohet të ketë fituar 450 mijë paund nga kjo veprimtari kriminale, përpara se të arrestohej nga policia.
35-vjeçari mbërriti në vitin 2006 në ishull dhe që prej asaj kohe qëndroi ilegalisht në vend, derisa u arrestua në vitin 2020. Ai u shpall fajtor për trafik droge dhe u dënua me 45 muaj burg në shkurt të 2021.
Por ish-punonjësi i ndërtimit tashmë i trembet depërtimit dhe për këtë arsye ka hapur një proces që të ndalojë kthimin e tij në Shqipëri.
Ai po përdor një ligj nga Konventa Europiane për të Drejtat e njeriut, sipas të cilit, një prind ka të drejtën të ketë kontakt me fëmijët e tij. Ditët e fundit gjykata mësoi se Ajazi ka një djalë 2 vjeç, i cili ka lindur gjatë kohës kur ishte në burg.
Konventa për të Drejtat e Njeriu po përdoret shumë shpesh kohët e fundit nga emigrantët në Britani dhe për këtë arsye, kryeministri Sunak po mendon të tërheqë vendin prej saj në mënyrë që të vijojë me largimin e emigrantëve të paligjshëm.
Avokatja e shqiptarit tha përpara trupit gjykues se Eldjordi ishte në dijeni të krimit që kishte kryer dhe ishte penduar për të dhe shtoi se është shumë e rëndë që ta ndash babanë nga fëmija dhe partnerja e tij.