9.5 C
Tirana
Monday, 17 January, 2022

Tensionet në PS-në e Shkodrës, Bilali: Akuzat mos i hidhni veç në tavolina

Punësimet pa kriter dhe emërimi i drejtorëve kanë krijuar jo pak tensione brenda Partisë Socialiste në Shkodër. Drejtuesja politike e Qarkut, Edona Bilali në një intervistë për Klan News tregon se pakënaqësitë u krijuan fillimisht ndryshimet pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Si çdo parti pas zgjedhjeve ku nuk kemi marrë rezultatin që kemi pritur, është krejt normale që do futeshim në proces ndryshimi dhe përmirësimi. Ndryshimi është i vështirë për t’u pranuar, por është një situatë e pakthyeshme sepse Shkodra duhet të ecë përpara cilësisht”.

Për akuzat e disa deputetëve socialistë se në Shkodër bëhen punësime pa kontribut, Bilali thotë se duhet të adresohen jo vetëm në tavolina, por dhe në instancat përkatëse.

“E keqja e radhës është se nuk i çojmë akuzat aty ku duhet, por i adresojmë ose në tavolina, ose në rrjetet sociale. Do kisha ftuar të gjitha palët që kanë hamendësime t’i çojnë në instancat përkatëse për ta çuar deri në fund. Sepse një rast i hetuar deri në fund na ndihmon edhe ne për të marrë vesh nëse qëndrojnë apo jo akuzat. Unë që jam në brendësi, mendoj se nuk qëndrojnë, por është vështirë për tu kapërcyer nga te vjetrit në nivele drejtuese, nuk po flas në nivel deputetësh, është vështirë të perceptohet se rinia duhet të marrë situatën në dorë”.

Viti 2022 ka nisur vrullshëm për Edona Bilalin edhe si Ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Për Klan News, tregon prioretet e vendosura nga kryeministri Rama për 300 ditët e para të këtij viti.

“Fokusi janë fëmijët, të rinjtë dhe dixhitalizimi, sepse e shohim shumë të lidhur me biznesin. Brenda 300 ditëve të ardhshme presim që skema e start-upeve të bëhet funksionale, kemi pritshmëri të mëdha për kalimin në një nivel tjetër të përfaqësisë së bizneseve për komunikimin me qeverinë”.

Gjithashtu, Bilali paralajmëron se po gjatë këtij viti do të jetë gati dhe skemës për ndërveprimin me sipërmarrjen.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com