08/02/2023

Nga Mero Baze

Kakuja ka ikur vjedhurazi. Motra e vetme e Kadareve, ishte një nga ato gjymtyrët e asaj shtëpie, pa të cilën ajo nuk do kishte atë fuqi mistike që ka për shqiptarët. Bashkëjetesa e saj me Ismailin është një histori e pashkruar, mungesa e së cilës lë diçka të paplotësuar në portretin e tij.

Adhurimi për peshën e tij në historinë tonë balancohej me guximin e saj të papërgjegjshëm për ta trajtuar atë si një vëlla që i “kishte zënë vendin” kudo. Kjo e bën atë një personazh të madh të asaj familjeje, që nuk ndihet vetëm tek ato që tregon Kadareja për shtëpinë e tij, por dhe tek ato për të cilat nuk flet.

Helena ka përshkruar një skenë të jashtëzakonshme në librin e saj autobiografik, kur kishte shkuar për herë të parë në familjen e tyre. Ndërsa ishte e mbyllur në dhomë me Ismailin, kishte dëgjuar që gratë në dhomën e ndenjies po flisnin për ta, natyrisht jo me simpati, dhe ai kishte dalë i xhindosur, sidomos me hallën e tij.

Kadrija ishte e para që kishte ndjerë furtunën dhe në mes të tërbimit të Ismailit kishte bërë e para kërkesën “që të mos i shkulte flokët, se i kishte të dobëta”.

E vetmuar, e vetëmjaftueshme me botën e saj dhe rezistente ndaj peshës së Kadareve të tjerë në shtëpi, Ismailit dhe Shainit, Kakuja, siç i thërrisnin të gjithë, është e vetmja dritare e hapur pa leje në atë shtëpi, nga ku mund të zgjasësh kokën të kuptosh më mirë çfarë është Ismaili.

E shkolluar në Rusi, me një talent të hershëm për letërsi të pazhvilluar kurrë, por shumë e lexuar, Kakuja ishte lexuesja dhe korrektorja e parë e çdo gërme të gjeniut shqiptar. Dhe e vetmja kënaqësi e saj ishte të gjente njerëz që e donin shumë Ismailin, që ajo ta thoshte ndonjë fjalë të keqe për të. Por duhet të sigurohej më parë që ti e doje atë. Ndryshe, pastaj kthehej në një shponjë hakmarrëse, me të cilën duhet t’i bëje mirë llogaritë.

-Ke shkruar ti Kaku ndonjëherë, e pyeta diku nga mesi i viteve ’90, ndërsa Ismaili sapo ishte pranuar si anëtar në Akademinë Franceze.

-Kam shkruar, por s’e mbaj mend, – tha. Kisha frikë se më rrihte ai, po të m’i gjente, se mos e turpëroja. Më rrahu njëherë kur isha e vogël me fshesë, se i thashë kam shkruar vjersha…

“Ai” ishte Ismaili. Kishte aq shumë cinizëm për veten e saj, sa në çdo moment ti duhet të kuptoje se ç’të priste ty, nëse kishe punë me të.

Pastaj, më vonë, në sulmet e përhershme ndaj Ismailit, i cili është gjahu i vetëm i dështakëve dhe ziliqarëve të letërsisë në Shqipëri, Kakuja kishte një vigjilencë të rrallë për t’i qëmtuar sulmuesit, duke të testuar ty dhe duke treguar se çfarë kanë thënë për të.

Një nga këto raste ishin vetë kujtimet e Kadaresë, se si motra e tij e kishte rrezikuar duke folur lartë e poshtë për Enver Hoxhën dhe duke bërë aludime të rrezikshme për të.

-E paske marrë më qafë Ismailin për pak, i thashë. Si ndodhi që u bëre kaq antikomuniste?

-Ai e ka fajin, – tha. Se ju nuk e njihni sa dembel është ai. Vinin këto literaturat e huaja të rezervuara atëhere kur ishin këto botimet e disidentëve rusë. I vinte dhe atij një kopje nga “Inostranaja literature”, një botim liberal ne Rusi. Ai m’i linte mua t’i lexoja në fillim e më thoshte: më thuaj kush vlen nga këto për të lexuar. Kështu, unë i lexoja të gjitha, ai vetëm më të mirat. Dhe u bëra antikomuniste, ç’të bëja. Kurse ai u bë i talentuar, se lexonte vetëm më të mirat që i tregoja unë.

Në gjithë këtë histori kishte padyshim një trillim të saj, për të guxuar që të përballej me të, duke e mbrojtur aq shumë.

Për shumë kohë që ajo punonte në redaksi, në fakt nuk i jepja asnjë punë. E vetmja detyrë që kishte, ishte dedektimi i atyre që nuk dinin të shkruanin, shumicën e të cilëve, përtoja dhe unë t’i lexoja. Dhe kishim një kod. Ajo duhet t’i binte tavolinës me kyçin e gishtit tregues për të më treguar që “është dërrasë”, d.m.th. që nuk bën. Ishte gjëja që e bënte më mirë se sa bën poligrafi i identifikimit të gënjeshtrës tek një njeri.

Me një intuitë të rrallë dhe sqimë për gjuhën, ajo arrinte të të fliste dhe për karakterin e një njeriu që nuk e njihte, vetëm nga shkrimi.

Ka ndodhur njëherë në redaksinë e “Albania” në vitin 1996, ndërsa Berisha ishte në alarm të përditshëm pas prishjes së zgjedhjeve dhe angazhohej vetë të dërgonte shkrime “diversioniste” kundër socialistëve në gazetë. Në atë kohë, nuk kishte e-mail, dhe dërgonte fakse gjysmë me shkrim dore e gjysmë me makinë shkrimi, të cilat Ylli Rakipi ja jepte Kakusë t’i radhiste.

-Aman o Ylli më mirë qëroj një tepsi me m*t, se këto shkrimet e Saliut. Ku më gjen mua për këto. Kjo ishte rezistenca e saj, ndaj punës së pistë në redaksi dhe e vetmja, së cilës Ylli ia pranonte këtë betejë, duke qeshur me të madhe.

Ajo ka qenë për vite të tëra edhe shpëtimi im, pasi duke shkruar përditë dhe shpejt në kompjuter, versioni i parë i shkrimeve të mija është një horror, që as unë nuk e kuptoja shpesh çfarë kisha dashur të shkruaja, përveç asaj. Dhe për t’i dalë së keqes përpara, e merrja me të mirë duke i thënë: Eja Kaku, qëro këtë tepsinë time tani…

Kakuja vuante nga nga frika e varfërisë, edhe pse nuk kishte asnjë rrethanë që të ndihej e firkësuar. Si gjirokastrite emblematike, ndjenjën e kursimit e kishte ngritur në art dhe e kishte kthyer në panik nga varfëria. Dhe kishte aq qejf që miqtë e saj ta konstatonin këtë. Shpesheherë, ne harronim ta “kuptonim” se Kakuja ishte e varfër, ndaj një ditë, ajo hyri në redaksi me shapkën në dorë, duke na treguar se i ishte këputur rrugës kur vinte. Dhe u bë me shapka të reja.

Por të nesërmen na la pa fjalë. Agron Tufa, i cili sapo ishte kthyer nga shkolla në Instituin Gorki në Moskë, aty ku dikur kishte studiuar Ismaili, filloi të bënte garë me Kakunë kush recitonte më shumë rusisht. Për herë të parë, ne pamë të kundërtën e Kakusë.

-Agron, ty do të jap apartamentin tim, të flesh ca kohë meqë s’ke shtëpi, – i tha. Se unë fle nga shtëpia e Ismailit, se ruaj librat.

Kjo ishte pak si tepër për ne, që mendonim se Kakuja ishte koprace gjirokastrite dhe nuk lëshonte gjë nga dora. Vetëm se dikush i kujtoi rininë e Ismailit, i ofroi shtëpinë.

Pastaj e terrorizoi me një sërë këshillash, se çfarë nuse mund të gjente dhe kur ai erdhi befas në redaksi me vajzën që e ka grua sot, Kakuja erdhi e dëshpëruar në zyrën time dhe tha:

– Më duhet ajo shtëpia që i dhashë atij djalit.

Kaq e pati bamirësia e saj. Lidhej vetëm me talentin e tij. Nuk pranonte asgjë tjetër në jetën e tjetrit, nëse nuk lidhej me talentin. Dhe gjithë atë dobësi e kishte vetëm prej faktit që ai kishte studiuar në Institutin Gorki, pasi i kujtonte Ismailin.

Në vitin 2002, ndërsa Fatos Nano dhe Sali Berisha përjetonin një muaj mjalti të zgjatur dhe po zgjidhnin bashkë presidentin e Republikë, e nisën këtë fushatë duke i drejtuar së bashku një lutje Ismail Kadaresë, që të pranonte të bëhej president.

Ismaili as u ktheu përgjigje fare, por u çoi fjalë se nuk kishte ndërmend të merrej me politikë.

Siç ndodhte rëndom, iu luta Kakusë të ishte vigjilente në redaksi, se mund të vinin shkrime kundër Ismailit dhe futeshin pa u lexuar.

-E di vetë, tha. Mos ki merak.

-Po ky çfarë ka që nuk e pranon, – vazhdova unë? Biem rehat të gjithë.

-Nuk e do atë detyrë ai, – tha. Nuk ka kompetenca.

-Si moj nuk ka, – i thashë unë, që u peshkova dhe e mora seriozisht cinizmin e saj. Dhe fillova t’ia numëroj: ka këtë, këtë, këtë….plus që është dhe Ismaili që ka dhe peshën e tij.

-Nuk i quan këto kompetenca ai – tha. Nuk e njeh ti atë. Ai do vetëm një kompetencë.

-Kë – i thashe gjithë shpresë?

-Atë dënimin me vdekje. Të tjerat i quan kot. Ai po qe se do jetë i pari i vendit, duhet ose të të falë jetën, ose të ta marrë. Këto të tjerat nuk janë për atë.

E tha dhe qeshi me shpirt, ndësa unë e përqafova si i dorëzuar nga cinzimi i saj. Dhe të përqafoje Kakunë, nuk ishte aq e lehtë. Nga sot është dhe e pamundur.