SPAK sekuestron vilën e ish-gruas së Arben Ahmetajt

SPAK ka sekuestruar një vilë në pronësi të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt, Albina Mancka, pronë e cila ndodhet në jug të vendit.
Sekuestrimi vjen në një kohë kur ish-zëvendëskryeministri është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për 4 akuza. Ato i përkasin dy procedimeve penale, që janë bashkuar në një të vetme. Çështja e parë është për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit dhe mban numrin 277/1. Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërsa e dyta me numër 30 për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë” në bazë të një kallëzimi tjetër të bërë ndaj tij.
Kujtojmë se Byroja Kombëtare e Hetimit me vendim gjykate ushtroi kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjetueses aktuale Erjola Hoxha. Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar disa dokumente gjatë kontrollit.
Pikërisht për këto kontrolle, SPAK dhe ish-zëvendëskryeministri do të përballen së shpejti në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për kontrollin e banesë së Erjola Hoxhës, bashkëjetueses së tij. Mbrojtja pretendon për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit nga ana e SPAK, sepse nuk ka marrë leje nga Kuvendi për kontrollin e banesës ku jetonte Arben Ahmetaj.