26/01/2023

Drejtuesit e mjeteve të cilët janë përdorues të lëndëve narkotike apo përsëritës të përdorimit të pijeve alkoolike dhe shkaktar të aksidenteve do të ritestohen për lejen e drejtimit. Kjo pritet të bëhet në kuadër të një marrëveshjeje mes Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Të parët që do kalojnë në ritestim janë shoferët që janë trajtuar në repartin e Toksikologjisë, të cilët nëse rezultojnë pozitiv do u hiqet patenta. Në bazë të një liste të Ministrisë së Shëndetësisë, ata do njoftohen se u është pezulluar patenta dhe më pas do kalojnë testohen për njohuritë e qarkullimit rrugor.

Testimeve do t’i nënshtrohen edhe drejtuesit e dehur në timon. Edhe ndaj këtyre personave pritet të ndiqet e njëjta procedurë si për përdoruesit e lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve kjo nismë ka për qëllim të ulë numrin e aksidenteve rrugore. Një tjetër risi për policinë dhe drejtorinë e transporteve është dhe ritestimi i shoferëve të rinj të cilët kanë marrë numër të lartë gjobash. Sipas burimeve të policisë, ka raste që një drejtues mjeti është ndëshkuar mbi 150 herë.