Shfaqja e shëmtuar e Top Channel, si e përdori audiencën dhe gënjeu banorët e Big Brother

Top Channel e anuloi emisionin Big Brother të martën në mbrëmje. Sipas Arbana Osmanit, televizioni po mbante zi se ishte qëlluar me armë. Për t’i dhënë ngjyrimin sipas skenarit, jo vetëm që s’kishte publik, por ishin veshur me të zeza të tre: Arbana, Zhaklina dhe Arbëri. Këta dy të fundit iu shtruan darkës me mish e me verë pas 40 minutave të zisë televizive.
Por Arbana gënjeu sepse Top Channel kishte transmetuar dhe po transmeton çdo emision tjetër. Së dyti, Top Channel shfrytëzoi pikërisht programin me më shumë audiencë për të lexuar editorialin e tij, që s’përputhet gjëkundi me hetimet e deritanishme.
Më e tmerrshme në këtë histori, sesi përdoret ekrani për politika personale, është pjesa e artikulimit. Osmani u tha banorëve se bëhet fjalë për një sulm terrorist, pa dhënë qëllimisht detaje. Madje ishte aq e pasaktë saqë u shpreh se Policia s’ka një version mbi ngjarjen ndërsa Policia kishte folur që në drekë. Madje madje, tha se ishin 25 plumbat e një kallashnikovi, ndërkohë që ekspetiza kishte 12 orë që kishte nxjerrë se ishin 26 plumba nga dy kallashnikovë. Madje, madje, madje as i njoftoi se u gjet makina e djegur e autorëve dhe dy armët brenda saj. E gjtha, për të mos i dhënë banorëve të Big Brother lajmin se bëhet fjalë për një ngjarje që ndodh çdo muaj nëpër rrugët e Tiranës dhe që fatkeqësisht janë kthyer në të zakonshme.
Ngjarja ndaj Top Channel është një krim, sepse u vra një njeri i pafajshëm. Ky krim bëhet dyfish i rëndë sepse roja Pal Kola është i dyti brenda muajit që gjen vdekjen nga plumbat teksa po punon. Dy javë më parë gjithashtu një kamariere u vra pa shkak në lagjen Don Bosko.
Por zbukurimi që do t’i bëjë televizioni ngjarjes se është sulmuar fjala e lirë dhe se është sulm terrorist, nuk qendron.
Së pari sepse kur nuk dihen autorët dhe motivet, si e di Top Channel që objektiv ishte fjala e lirë? Dhe kur ishte kështu, pse s’u qëllua X apo Y gazetar e kryeredaktor?
Së dyti, ka disa kritere mbi sulmet terroriste, ndaj dhe Policia e Prokuroria të specializuara për krimet nuk e cilësojnë ngjarjen si të tillë. Sepse Top Channel mund të dojë ta quajë që është edhe fillimi i luftës së tretë botërore, por ja që s’e vendos televizioni. Prandaj, përpjekja për t’ua paraqitur banorëve sikur erdhi Al Kaeda dhe shpëtuan për një fije, është qesharake.
Qesharake në këtë histori është edhe pjesa nëse autorët e kishin mesazh për banorët apo jo?! Sigurisht që jo, sepse askush nuk merr përsipër të vrasë disa rrëmbythje që emrin VIP ia ka vënë Top Channel, sepse në fakt nuk kanë pikën e rëndësisë për jetën e shqiptarëve. Nëse do ta kishin me ta, mund t’i binin oborrit nga pas ku s’ka roje, ku shkuan fansat e Luizit në protestë e ku çojnë drone. Nuk kishin pse qëllonin 1 kilometër larg me shpresën se plumbi do të çajë 30 palë mure.
Ndaj, duke dënuar vrasjen e rojës si një akt kriminal dhe fatkeqësinë më të madhe për familjen e tij, urojmë që Top Channel të ulet me këmbë në tokë.
Aq më tepër kur bëhet fjalë për ballafaqimin me teleshikuesit.