-5.5 C
Tirana
Thursday, 27 January, 2022

Sharlatanë dhe batakçinj që pafytyrësinë e servirin si luftë për demokraci. Të mos mashtrohemi nga perdet e propagandës dhe maskat e trasha!

Nga Viktor Malaj

“Sa më shumë ngjisim shkallët e hierarkisë shoqërore aq më të trashë e mbajmë maskën” – Erih From

Në një kohë kur shumica e popullit shqiptar jeton me vështirësi ekonomikisht dhe e kalon jetën nën strese të panumërt, të shkaktuar nga keqqeverisjet e zgjedhura prej tij, por edhe nga sjelljet e paqytetëruara dhe, shpesh kriminale të një pjese të popullit, mediat vizive dhe të shkruara të Shqipërisë nuk pushojnë 24 orë rresht duke i bombarduar shqiptarët me hollësitë e një sherri politik të plasur kohët e fundit.

Po ta ndjekësh propagandën mediatike, të krijohet përshtypja e rreme se kemi të bëjmë me një konflikt parimor, idealist dhe dobiprurës, me një konflikt midis të mirës dhe të keqes, midis të shkuarës dhe të ardhmes.

Ndërkohë që me pak kujdes vërejmë se nën mbulesën e rreme ndodhet një realitet që nuk ka lidhje me parime apo ideale. Një familje politike laramane është ndarë në dy pjesë ku ati dhe biri politik kanë krijuar taborret e tyre brendapartiake në luftë për fronin partiak, i cili shërben më vonë si trampolinë për fronin qeverisës.

Secili nga bimbashët dhe asqerët e tyre pretendojnë se po luftojnë për demokraci, për të mirën e popullit dhe akuzojnë njëri-tjetrin për varrmihës të parimeve e normave demokratike. Deri para dy muajve, ati dhe biri ishin një dhe të pandarë, panegjerikë dhe glorifikues të njëri-tjetrit, lartësues dhe himnizues të pamend e karakter, mosgjetës të asnjë të mete e gabimi, pa lëre më të ndonjë krimi tek paraardhësi apo pasardhësi.

Tani ushtria e përbashkët politike është ndarë më dysh dhe ati na thotë se biri i tij politik “Lulzim Basha nuk e ka merituar kurrë mbështetjen time“, ndërsa biri dhe nxënësi “i shkollës politike të Sali Berishës” na njofton se ati dhe mësuesi i tij qenka “Ish-komunisti, me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave dhe me shpresën e vdekur se mund të marrë peng PD-në…”.

Biri politik Lulzim Basha, i cili deri dje na kumtonte se “Sali Berisha mbetet një aset i madh i PD-së dhe madje i demokracisë shqiptare”, sot na thotë: “Dënojmë aktet e një njeriu, marrëzia e të cilit nuk ka fund (!?)… ai është minues i demokracisë (?!)… nuk ka lënë ish-kryetar të PD-së pa rrahur dhe pa i thyer dhëmbët (vërtetë?!) … 21 janari dhe ’97 janë pjesa më e hidhur e trashëgimisë së tij personale” etj.etj.

Hëmm! Po mirë, i dinte ky njeri këto në vitin 2005 kur erdhi plot gëzim e hare dhe iu bashkua karvanit ekzekutues të quajtur PD? I kishte mësuar këto bëma dhe dhjetëra të tjera si këto gjashtë vjet më parë kur mburrej se “i përkasim shkollës politike të Sali Berishës”? Meqë i paska ditur, pse pranoi të bashkohej me ta dhe të bëhej trashëgimtari politik i partisë së kryesuar, ideuar dhe drejtuar nga një “minues demokracie”, “rrahës i kryetarëve”?

E dinte “aseti i demokracisë” Sali Berisha se “zgjedhjet e 2021 nuk i fitoi PD-ja” kur deklaronte në prill 2021 se Rama bëri një masakër zgjedhore dhe shumicën e votave i kishte fituar PD dhe opozita?! (“nuk i fitoi PD-ja” tha në 1 tetor 2021). E dinte Berisha se “Basha është i paaftë dhe i marrë peng” kur deklaronte se Edi Rama nuk i bën dot ato që ka arritur Basha as për tridhjetë vjet, kurse Basha e quante “baba” Berishën”?!

Jo vetëm ati dhe biri politik, por edhe ushtarët e tyre kordhëthyer ishin “mish e shpirt” deri dje dhe shumica prej tyre ishin dhe mbeten mëkatarë dhe bashkëfajtorë për bëmat dhe krimet e kryer prej tyre në qeverisje dhe opozitë. Ata nuk janë ndarë sot për ideale dhe parime, por, thjesht dhe vetëm, për interesa vetjake.

Ushtarët e “babës” u kthyen tek ai pasi kishin humbur shpresat se do të vinin në pushtet shpejt dhe, rrjedhimisht, nuk shihnin në horizont kthimin e privilegjeve të dikurshme dhe as të reja. Ushtarët e “birit”, pas shpalljes “non grata” të bablokut, u treguan aq të mençur sa të kuptojnë se sa më afër ta mbajnë atin e tyre shpirtëror aq më shumë iu largohen karriget imagjinare të pushtetit.

Pra, është çështja e pushtetit që i ndau dhe, kryesisht, rruga e zgjedhur drejt këtij pushteti. Shkurt, i ndau mendimi dhe besimi kur pyetën veten: me cilin në krye mund të mbërrijmë më shpejt në pushtet, me atin apo me birin? Parimet! Akoma me parime ti lale?!

Jo vetëm që gjithë këtë sherr “familjar” na e paraqesin si luftë për demokraci, por kanë pafytyrësinë të na fyejnë vetëdijen me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre të shpeshta rreth atyre çfarë kanë ndodhur në Shqipëri këto tridhjetë vjet.

Pasi na ka pohuar se partia e tij udhëhiqej këto tridhjetë vjet nga një “minues i demokracisë, mbeturinë e komunizmit dhe korrupsionit”, Lulzim Basha na kumton përrallën e stërpërsëritur se “PD është e vetmja shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Mos qesh po deshe! Shpresa e vetme e shqiptarëve qenka partia politike të cilën shqiptarët e kanë stërprovuar disa herë, janë zhgënjyer po aq herë dhe e kanë sikterisur si të padenjë pas çdo votëbesimi!

Për të qenë besnikë të së vërtetës, duhet pohuar se në Shqipëri (dhe askund në botë) nuk ekziston asnjë “shpresë e vetme”. Po të ishte ndryshe, nuk do t’i braktisnin votimet thuajse gjysma e elektoratit dhe pjesa që iu drejtohej kutive të votimit do ta kishin sjellë në pushtet “shpresën e vetme”, PD-në e Lulzimit. Përrallat iu duhen treguar fëmijëve, jo popullit.

Nëse na kanë keqqeverisur, keqtrajtuar dhe mashtruar disa herë për ato “që do të bëjnë”, janë të lutur të mos na bëjnë mësuesin e historisë për çfarë ka ndodhur dhe çfarë kanë bërë. I dimë të gjitha, prandaj ua kemi mbyllur derën e “mësuesisë”.

Ati politik Sali Berisha na mëson se “31 vite më parë, në drejtimin e kësaj partie kam përmbysur në Shqipëri diktaturën…”. Vërtetë?! Për t’u bindur, unë i kthehem historisë së dokumentuar dhe jo përrallave. Historia e dokumentuar më thotë se PD-ja u krijua në 12 dhjetor 1990, ndërsa Ligji Nr. 10242 datë 25.02.2010 ( neni 3/a ), i miratuar nga shumica e PD-së në Parlament, më thotë: “Periudha e komunizmit është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990”.

Atëherë unë pyes veten: A mundet dikush që ka lindur pas vdekjes së dikujt tjetër të jetë autori i vrasjes së të vdekurit?!

Për t’u siguruar akoma më mirë, rilexoj transkriptimet e takimeve të “ish-diktatorit komunist Ramiz Alia” me studentët dhe pedagogët protestues në 11 dhjetor 1990 ( të botuara nga ish – Kryeministri Aleksander Meksi ). Aty gjej “beteja” legjendare të padëgjuara më parë midis protestuesve dhe diktaturës. P.sh. “diktatori” iu thotë protestuesve:

S’ka asnjë ligj ku, shprehimisht, të ndalohet krijimi i një partie politike… Po, jam dakord me pluralizmin. Edhe KQ i Partisë shprehu këtë mendim. Mjafton neni 54 i Kushtetutës… Ligji e lejon krijimin e partive politike… Idea që keni ju për krijimin e partive të reja politike është formuluar shumë qartë në Vendimin e KQ (të PPSH-së) të tanishëm… Po, le ta krijojmë (Organizatën e Pavarur Politike të Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj), që nesër. Paraqiteni kërkesën pranë Ministrisë së Drejtësisë… dhe ajo duhet ta aprovojë… Unë diktator nuk bëhem… Unë nuk e përkrah absolutisht përdorimin e dhunës… Bëjeni edhe gazetën tuaj…”.

Studentët dhe pedagogët protestues, “të zemëruar” i përgjigjen dhëmb për dhëmb dhe me “shpatën” zhveshur: (thirrje nga salla: “Ne ju duam!”);

“Kjo lëvizje ka qëllime demokratike në mbështetje të reformave të ndërmarra nga vetë ju si President… Është thënë se është rebelim, është turp! Mbështetja juaj për reformat demokratike do t’ju dihet… Ne tek ti kemi besim. Këtë besim nuk do ta humbim kurrë. Ne jemi me ju për reforma demokratike… Ti dhe ne e kemi në dorë këtë situatë” (i ka thënë këto “kryeheroi i demokracisë” Azem Hajdari); “Shoku Ramiz, ju besojmë plotësisht. Ne erdhëm nga Qyteti Studenti, autobusin desh e shqyen duke na kërkuar demokraci dhe duke brohoritur emrin tuaj” (Blendi Gonxhe) etj. etj.

Le të shohim ku ishte ky “përmbysësi i diktaturës” Sali Berisha në ato momente. Ai, me teserën e PPSH-së në xhep prej 22 vitesh, jepte e merrte si ndërmjetës midis pushtetit dhe protestuesve, për t’i qetësuar këta të fundit dhe, përfundimisht, në datën 12 dhjetor iu kumton protestuesve në Qytetin Studenti:

Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe, pa dyshim, shkon tek Presidenti, shoku Ramiz Alia i cili me një mençuri të madhe, me mençuri dhe guxim udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në beteja çlirimtare, udhëhoqi vendin në beteja të reja të demokratizimit të Shqipërisë”.

Historinë e “përmbysjes së komunizmit” në 1990 e ka shprehur shkurt dhe qartë ish-deputeti i PD-së dhe ish-ministri Preç Zogaj duke thënë: “Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për ndryshime ka zgjatur katër ditë dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë”.

Sali Berisha vetë, dhe bretkocat politike që e rrethojnë, kanë pretenduar se Berisha është “përmbysësi i diktaturës dhe sjellësi i demokracisë”. Populli i shkolluar dhe i pashkolluar pyet: Si mund të jesh njëkohësisht edhe “sjellës i demokracisë” edhe “minues i demokracisë”?!

Lulzim Basha pohon se “ish-komunisti (S. Berisha) me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave… gënjen për gjithçka…” , mirëpo, si “nxënës i shkollës berishiste”, as ai s’i lë gjë mangut në shtrembërimin e të vërtetave dhe të historisë. Duke marrë shembull nga Ati i tij politik dhe nga dishepujt e pasuesit e tij, si z. Genc Pollo që pohonte se “Zgjedhjet e 31 marsit 1991 ishin pluraliste, por as të drejta dhe as të lira…”, edhe Basha noton në të njëjtin batak moral.

Ish-kamarieri i vitit 1990, bimbash Basha na tregon sot historinë e para 30 viteve sipas dëshirës dhe moralit të vet. Zotëria na thotë: “Ne e dimë se, ndryshe nga çdo vend tjetër komunist, zgjedhjet e 31 marsit 1991 komunizmi arriti t’i merrte me dhunë. Në krahun e PD-së vinin SHBA-të që të mundnin komunizmin shqiptar në marsin e 1992… E vërtetë është se zgjedhjet e 1991 i manipuloi regjimi komunist“.

Për të verifikuar integritetin moral dhe intelektual të politikanit L. Basha dhe si vëllezërve të tij, m’u desh t’iu referohem dokumenteve të OSBE-së në të cilat zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991 përcaktohen si “free and fair” (të lira dhe të drejta), mirëpo aty gjeta se zgjedhjet e organizuara e drejtuara nga partia e Bashës dhe “aseti i demokracisë” Sali Berisha në maj 1996 përcaktoheshin të parregullta dhe të dhunuara.

Për të qenë më korrekt me të vërtetën historike, m’u desh t’iu referohem edhe dokumenteve të tjera rreth pluralizmit politik shqiptar dhe zgjedhjeve të vitit 1991 ku gjeta përcaktimet e mëposhtme:

Në radhë të parë, mendojmë se zgjedhjet nuk janë manipuluar. Ne mendojmë se zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të barabarta” (Ulrich Irmer- Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Gjerman); “Unë isha në Shkodër dhe, me ato çka vërejtëm, mund të them se zgjedhjet u zhvilluan normalisht” (Marsel Cornett- Kryetare e Delegacionit dhe Nënkryetare e Këshillit të Evropës);

“Do të dëshironim që edhe në Angli të bëheshin zgjedhje kaq të lira” (Njëri prej vëzhguesve anglezë); “Vëzhguesit e pavarur perëndimorë ishin të një mendimi se zgjedhjet kishin qenë të rregullta” (Miranda Vickers- Shkrimtare dhe aktiviste angleze);

“Zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991 u hapën rrugën ndryshimeve demokratike… Kishte filluar kështu një proces i rëndësishëm: ishte e sigurt dhe e pakthyeshme lamtumira ndaj komunizmit… Shembja e regjimit të vjetër u bë në mënyrë thellësisht joviolente, kjo edhe në saje të moderimit ekstrem të imponuar nga Presidenti i atëhershëm Ramiz Alia” (Aleksander Langer- Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Rumaninë”).

Dishepulli dhe besniku pa kushte i Sali Berishës, Fahri Balliu, në librin e tij “Berisha përmes Kasandrave” thotë: “Asnjëherë nuk është folur për shantazh, tension e manipulime në këto zgjedhje (të 1991) dhe, për mungesë dokumentesh, s’po e hapim këtë temë”.

I solla këto informacione për të dëshmuar si është krijuar bindja ime e palëkundur se, me përjashtim të një pakice të papërfillshme, të dy gjysmat e PD-së, me drejtuesit e tyre tërësisht mëkatarë dhe të zhvlerësuar, nuk i lidh asgjë me demokracinë, parimet dhe idealet por, thjesht dhe vetëm me interesat e veta meskine.

Ndeshja e tyre nuk është luftë për demokracinë, Shqipërinë dhe popullin, por për dy pëllëmbë vend në pushtetet imagjinare dhe të dëshiruar fort prej tyre. Ato janë dy gjysmat e të njëjtit “byrek” të provuar disa herë nga shqiptarët dhe të neveritur prej tyre, me kupola drejtuese (kryesisht) të përbërë nga sharlatanë, mashtrues dhe batakçinj të pashërueshëm.

Aty nuk ndeshet e reja me të vjetrën apo progresistja me regresiven por dy gjysmat e një të keqeje që nevojitet të shpërbëhet dhe të rikrijohet nga fillimi, pa u ideuar dhe drejtuar nga “ati” dhe as nga “biri”, por nga dikush që nuk mbart asnjë mëkat të kaluar. Të presim dhe të shohim.

E rëndësishme është të mos mashtrohemi nga perdet e trasha të propagandës dhe maskat e trasha të protagonistëve.

TË NGJASHME

TË FUNDIT