Sali Berisha: Çdo vendim i Kryesisë së PD është ‘fake’, mbledhja s’ka kuorum

Teksa Lulzim Basha ka paralajmëruar mbledhjen e Kryesisë ku priten vendime dhe masa në mbrojtje të interesit të Partisë Demokratike, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se ky forum është jolegjitim.
Berisha rendit shkeljet në statut dhe fton anëtarët e Kryesisë të mos shndërrohen në satelitë të atij që e cilëson “peng-kryetar”.
Z.Berisha në orët e pasdites është thirrur mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku si temë është vendimmarrja për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesin e PD dhe funksionimin demokratik të kësaj force politike. A jeni ju në dijeni të asaj çfarë pritet të dalë nga kjo mbledhje?
Sali Berisha: Përpëlitjet e fundit të peng kryetarit si i mbyturi të kapet në fijen e barit. Dua të informoj të gjithë anëtarët dhe anëtaret e Partisë Demokratike si dhe qytetarët shqiptarë se e ashtuquajtura Kryesi e Partisë Demokratike është absolutisht jo legjitime për arsyet që vijojnë:
Kjo Kryesi nga 38 anëtarë ka vetëm 16 prej tyre të zgjedhur me votën e fshehtë të forumeve të Partisë Demokratike. 22 prej tyre nuk janë zgjedhur siç përcakton në mënyrë të qartë si kristali statuti, votim të fshehtë. Nuk janë zgjedhur sepse peng kryetari e dinte se nuk do mund të përcaktonte ata që donte. Janë shpallur anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike në kundërshtim të hapur me statutin. Këshilli Kombëtar, organi më i lartë pas Kuvendit, është dhunuar në mënyrë të hapur pasi nuk është lejuar të shprehë me votën e fshehtë të tij vullnetin e vetë. Ftoj të gjithë këta zonja dhe zotërinj për të cilët ushqej respekt të palëkundur të mos uzurpojnë karrige të ofruara nga peng kryetari. Sepse ata nuk janë anëtarë të peng kryetari. Faktikisht ata nuk janë anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Ka një parim themelor në ndërtimin e organit të Kryesisë së një force politike të qendrës së djathtë. Nuk lejohet kurrë që në anëtarësinë e Kryesisë të ketë më shumë se sa maksimumi 1/5 të emëruar ekzoficio. Vendet në kryesi ekzoficio të garantuara i kanë vetëm 2 persona. Kryetari i organiztës partnere të grave, kryetari i organizatës partnere të të rinjve. Që të gjithë të tjerët duhet të votohen me votë të fshehtë në Këshillin Kombëtar, përvecc kryetarit dhe smund të jenë kurrë më shuë se një e pesta. Dhe statuti i dorëzuar kur partia demokratike është antarësuar në EDU në 94’, ku është antarësuar më vonë në partinë popullore, kur është antëtarësuar në bashkimin demokrat ndërkombëtar, ka këto përcaktime. Përndryshe, kjo është kapje absolute e organit nga kryetari dhe është kapje e demokracisë nga kryetari. Një Kryesi me 60% të emëruar nga kryetari është një turp, turp për një forcë politike. Nuk dua të fyej ata, ndaj dhe u bëj thirrje të njihen me statutin, të njihen me këto parime dhe të mos pranojnë të shndërrohen në satelitë të peng kryetarit i cili nuk e ka më vehten në dorë, por me arsye që edhe ata i dinë e kanë marrë peng dhe e sjellin vërdallë si duan. I japin urdhrat që duan.
Z.Berisha, ju po thoni që çdo vendimmarje që do dalë nga kjo mbledhje Kryesie është anti-statutore?
Sali Berisha: Zero. Edhe mbledhja nuk ka kuorum. Një forum me 38 anëtarë, kuorumi i tij është 19+1, 20. Aty janë gjithsej me votë të fshehtë 18 anëtarë.
Z.Berisha, i druheni ju në fakt një përjashtimi të mundëshëm nga radhët e Partisë Demokratike në mbledhjen e sotme të Kryesisë?
Sali Berisha: Kjo Kryesi është ilegjitime dhe fake, por unë tani po punoj për Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike dhe faktikisht Foltorja si mrekullia e dytë më e madhja në historinë e Shqipërisë që nga Dhjetori i vitit ’90, e realizoi atë në një rast unik, jo vetëm në Shqipëri, por mundet edhe në Europë. Kjo është demokracia direkte, e cila po bën histori në Shqipëri.