Rrëzimi i avionit në Indi, shkon në 279 numrin e viktimave! Familjarët presin me ankth përgjigjet e ADN

Numri i të vdekurve nga rrëzimi i aeroplanit të Air India është rritur në 279. Familjet e pikëlluara të viktimave presin me ankth rezultatet e analizave të ADN-së për të identifikuar të dashurit e tyre, ndërsa qeveria ka ngritur një komision të posaçëm për të hetuar shkakun e aksidentit.

Zemërimi i familjarëve po rritet ndërsa ende mungojnë detajet mbi procesin e identifikimit dhe përgjegjësinë për tragjedinë.

Rafique Memon tha: “Fëmijët tanë kanë vdekur. Pakujdesia e kujt është kjo? Kush është përgjegjës? Kompania ‘Air India’ nuk i kushton vëmendje ankesave të shumta kundër aeroplanëve të saj. Pse u zgjodh ky aeroplan për fluturimin drejt Londrës? A nuk ka vlerë jeta njerëzore?”

Qeveria indiane njoftoi se një komitet i nivelit të lartë do të hetojë shkaqet e aksidentit dhe do të rishikojë procedurat standarde të operimit për sigurinë e aviacionit. Komiteti pritet të përfundojë hetimet brenda tre muajsh.

Byroja e Hetimit të Aksidenteve të Avionëve në Indi po bashkëpunon me ekipe ndërkombëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vende të tjera për të zbardhur rrethanat e rrëzimit.

Të dhënat nga regjistruesi i fluturimit, i rikuperuar nga vendi i aksidentit, janë në proces analizimi, së bashku me videot e rrëzimit.

Në bord të avionit të Air India, që u rrëzua menjëherë pas ngritjes, ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë, një kanadez dhe 12 anëtarë ekuipazhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *