08/02/2023

Në një kohë kur fati i tij në Presidencë është “në fije të perit”, Ilir Meta ka sfumuar thirrjet e tij për luftë me sfurqe e prerje dore para 25 prillit, duke i cilësuar si metafora dhe epitete letrare.

“Kam mbi 3 vite nën hetim nga komisione qesharake, pse kam mbrojtur interesin kombëtar, sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë. Ndaj nuk mërzitem pse jam i pari President që çohet në Gjykatën Kushtetuese me akuzën për “Agjitacion-Propagande”.

Me vjen për të qeshur që gjykohem për çështje të karakterit letrar, për metaforat dhe epitetet qe kam përdorur”, tha Meta në një intervistë për median shkodrane.

Pikërisht për këto deklarata të tij, ai u pyet edhe seancën e kaluar në Gjykatën Kushtetuese ku ishin jo 1, por plot 72 pyetje, për të cilat Meta thotë se do i përgjigjet personalisht dhe përpara qytetarëve.

“Për 72 pyetjet që më ka bërë Gjykata Kushtetuese do të jap përgjigje para të gjithë qytetarëve, me transparencë të plotë. E përsëris që kam zero shqetësim për çështjen në Gjykatë”, tha ai.