Rrëfimi i Arjolës në BBV: Nga tradhtia e bashkëshortit tek përpjekja për vetëvrasje

Gjatë spektaklit të sotëm të Big Brother Vip, ishte Arjola ajo e cila ndau me publikun historinë e jetës së saj. Ndonëse edhe më herët ajo ka folur për fëmijët, problemet me ish-partnerin dhe ndarjen me të, sot tregoi detaje të parrëfyera më herët.
“Në 2005-ën, isha 21-vjeçe dhe u dashurova me babain e fëmijëve të mi. Pas lindjes së vajzës, të gjitha ëndrrat që kisha në lidhje me aktrimin u fokusuan tek vajza dhe babai i saj. Gjatë shtatzënisë tjetër, mes miqsh të përbashkët mësova se ish-partneri im më tradhtonte, kishte një lidhje tjetër. Eshtë një ndjenjë që të thyen krenarinë, të rrëzon dhe unë e përjetova shumë keq. Pa i thënë askujt vendosa të largohem nga shtëpia bashkë me 3 fëmijë të vegjël. Kam udhëtuar mbi 18-orë derisa arrita në Suedi. Jetoja me fëmijët brenda një dhome dhe qaja me orë të tëra brenda tualetit. Në 2014-ën u ktheva me dëshirë në Tropojë dhe prindërit e mi ma hapën derën pa menduar se çfarë thonë të tjerët.”
Ndër të tjera, Arjola tregoi se në një moment shumë delikat emocionalisht, u përpoq t’i jepte fund jetës.
“Ngjitem sipër në ballkon dhe po matesha që të vetëvritesha. Ndjeva nënën time pas kurrizit e cila më kujtoi fëmijët dhe aty vendosa të ngrihesha në këmbë.Mami s’ishte dakord për divorcin, por s’është dakord as për vendimin që kam marrë tani.”- vijoi ajo.
Arjola tha publikisht se ka vendosur të mos martohet më dhe se ky është një vendim i saj, por dhe kërkesë e fëmijëve për të mos patur një njerkë.
Pas rrëfimit, Arjola pati mundësinë ta takojë të ëmën pas më shumë se 4 muajsh në dhomën e surprizave.