8.5 C
Tirana
Monday, 25 October, 2021

Rihapet ‘Gërdeci’, Fatmir Mediu tashmë në ‘duart’ e SPAK! Apeli i GJKKO pranon kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda

Kur kanë kaluar më shumë se 13 vite, familja e Edisonit të vogël që humbi jetën në moshën 7-vjeçare nga shpërthimi i tmerrshëm në Gërdec në 15 marsin e 2008-s dhe të gjithë familjet e tjera që humbën të dashurit e tyre, tashmë kanë një dritë shprese për të gjetur drejtësinë e munguar.

GJKKO ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. Vendimi është marrë në apelin e GJKKO e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të shkallës së parë. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Saida Dollani.

GJKKO në një vendimarrje të datës 27 korrik refuzoi kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun, ministër i mbrojtjes asokohe kur shpërtheu Gërdeci.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “PërOrganizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në vendimin e marrë sot nga Apeli i GJKKO.

Menjëherë pas publikimit të vendimit reaguan edhe anëtarë të familjes Durdaj dhe avokati i tyre, të cilët e quan një hap të rëndësishëm për vendosjen e drejtësisë. Ndërkohë që avokatët mbrojtës të Fatmir Mediu e konsiderojnë si një akt jo kushtetues.

Sipas vendimit të GJKKO të shkallës së parë prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe vepra është parashkruar. Në një intervistë për Report Tv, vendim të turpshëm dhe qesharak e quajti Zamira Durdaj nëna e 7 vjeçarit Edison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës vendimin e ndërsa shprehet se gjyqtari Erion Çela është kërcënuar.

Kujtojmë se Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.

Ndërkaq në shkurt të këtij viti, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes. SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë çështja është në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.

Viktimat e Gërdecit
1. Qemal Deliu
2. Kore Deliu
3. Liljana Deliu
4. Jetmir Deliu
5. Flavio Deliu, 3 vjeç
6. Hysen Cani
7. Muhamet Hoxha
8. Besim Çanga
9. Roland Alla
10. Reshit Kruja
11. Mehmet Hazizi
12. Bukurie Cani
13. Arben Hasa
14. Zilie Kaca
15. Endri Dvorani
16. Shefki Cani
17. Zelije Leti
18. Ilirjan Malci
19. Shqipe Hasa
20. Azem Hamolli
21. Nafije Laçi
22. Zylfije Ahmeti
23. Erison Durda (Djali i Zamira Durdës)
24. Rajmonda Durda
25. Jetmir Ballazhi
26. Resmie Kranja

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com