• 31/03/2023

Rama: Kur thua në shqip do heq kufirin nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin dhe Uashingtonin

 Rama: Kur thua në shqip do heq kufirin nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin dhe Uashingtonin

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentë në Prishtinë ka folur në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërisë dhe Kosovës. Kreu i qeverisë u shpreh se gjëja e parë ku duhet punuar mes dy vendeve është kufiri, për të cilin duhet që të bëhet pjesë e një sistemi të ri të lirive të lëvizjes që janë të njëjtat me ata të njerëzve në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë tha se kjo mund të arrihet nëpërmjet Ballkanit të hapur dhe se është e pakuptueshme për të se pse nuk është realizuar ende. Edi Rama deklaroi se në Uashingtoni dhe BE alarmohen më shumë se sa Beogradi kur flitet në shqip për heqje kufiri.

“E dini besoj që prej disa vitesh tanimë ne jemi angazhuar në një marrëdhënie mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në një nivel krejt tjetër nga ai i mëparshmi duke futur mekanizmin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, të cilat përmes këtij instrumenti kanë mundësinë të diskutojnë ndryshe nga ç’ndodh në diskutime bilaterale rutinë, të marrin vendime. Më pas vjen një tjetër mbledhje e radhës ku bëhet vlerësimi i atyre që janë arritur dhe atyre që nuk janë arritur. Mendoj që kemi prodhuar shumë më tepër marrëveshje dhe dakordësi sesa çdo vit tjetër apo vitet e tjera të marra sëbashku më parë. Një pjesë e konsiderueshme e marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht, ose janë zbatuar pjesërisht ose fare, për shkak të një sistemi pune i cili duhet ndryshuar, dhe për këtë kemi folur sot me kryeministrin tuaj se si ta ndryshojmë këtë sistem pune dhe si ta bëjmë të mundur që edhe administrata këtu dhe në Shqipëri ta ndjekë me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtin rëndësi se sa të rëndësishme janë zbatimi i hapave. Ka plot gjëra që mund të duken të vogla, por në fund bëjnë një mozaik për plotësimin e nevojave të qytetarëve. Gjëja e parë është kufiri që vijon të na ndajë. Me vullnet dhe angazhim të përditshëm mund të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme nga radhët e gjata, nga kontrollet e dyfishta të gjithë kamionëve që transportojnë mallra nga kjo anë apo ajo anë. Mund të lehtësohet nga situatat deri dramatike të radhëve në sezonet turistike. Mund të kthehet në kufi normal pa ndikim të madh në jetët e qytetarëve siç është në vendet e BE duke u bërë pjesë e një sistemi të ri të lirive të lëvizjes që janë të njëjtat liri të lëvizjeve të njerëzve në BE.

Hapësira e funksionimit të shteteve është një hapësirë e përbashkët. Është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova mos të realizojnë këtë. Kjo mund të realizohet pa pasur nevojë për marrëveshje me të tjerët. Në momentin që ti thua në shqip do heq kufirin alarmon gjithë dynjanë dhe nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin dhe Uashingtonin. Kjo është arsyeja pse kam mbështetur fort atë që u quajt Minishengeni. Ishte e njëjta nismë si Ballkani i Hapur për të cilën u përdor fjala Shengen për të dhënë qartë për çfarë bëhet fjalë. Insistimi ka qenë lëvizja e lirë e njerëzve. Serbia ishte gatshme, por pa lëvizjen e lirë. Sepse për Serbinë po të pranonte atë, do pranonte heqjen e kufirit të Shqipërisë me Kosovën. Ne nuk mund të pranonim një projekt të cunguar, o të katërta, o asnjëra prej tyre. Projekti u vonua prej disa vitesh derisa u gjet kjo dakordësi”, tha Rama.

Të ngjashme