Rama: Forcat Speciale të SHBA do të ngrejnë në Shqipëri një shtab pararojë. Kim: E rëndësishme për sigurinë rajonale

 Rama: Forcat Speciale të SHBA do të ngrejnë në Shqipëri një shtab pararojë. Kim: E rëndësishme për sigurinë rajonale

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Komanda e Forcave Operacionale Speciale të SHBA-së e cila operon në Europë do të ngrejë në Shqipëri një shtab pararojë.

“Jemi live për një super lajm. Nga Gjermania doli deklarata e Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA-së, e cila operon për Europën dhe ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës së forcave operacionale speciale. Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë sipas deklaratës një ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Shqipëria mbetet një aleat i fortë në NATO për SHBA dhe ato gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë gjë që e bën vendosjen e një Shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu kjo vendndodhje redukton në një masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon.

Pjesa më e rëndësishme është që sot kemi marrë një lajm fantastik për të cilin kemi disa kohë që punojmë. Është shprehje e një besueshmerie shumë të lartë. Shprehje e një bashkëpunimi shumë të afërt dhe me këtë rast dua ta falenderoj publikisht, diçka që nuk e kam me fort qejf të them të drejtën, por kur duhet bërë, duhet bërë sepse ambasadorët bëjnë detyrën e tyre dhe kjo mania e falenderimit të ambasadorëve është diçka nga e cila ne duhet të ndahemi, por realisht ambasadorja Yuri Kim duhet falenderuar për lehtësimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi duke na mundësuar të jemi në një komunikim të një niveli më të lartë prej një kohe të qëndrueshme dhe pse jo edhe të gjatë. Shumë faleminderit për kaq. Po e prisnim me padurim daljen e këtij lajmi kaq të mirë. Edhe për ata që na qahen, ku i kemi armët ku i kemi helikopterët, ku i kemi pushkët, ku i kemi koburet. Jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por tanimë një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA”, tha Rama.

Ambasadorja Yuri Kim ka thënë se ngritja e këtij shtabi është i rëndësishëm për sigurinë rajonale.

“Një mënyrë e jashtëzakonshme për të nisur vitin e ri me një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënien SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes. Hera e parë që SHBA ngre një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale”, tha Kim.

Edhe në një reagim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë thuhet se ngritja e këtij shtabi është një gur themeli për stabilitetin rajonal.

“Komanda e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) njoftoi se një shtab pararojë do të ngrihet në Shqipëri, me rotacion. Selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë.

Të ngjashme