Qeveria “Rama 3” betohet tek Presidenti Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri janë betuar sot në orën 10:00 te Presidenti Meta dhe tashmë qeveria e re ka nisur punën zyrtarisht.
Edhe pse ishte parashikuar që Kryeministri dhe ministrat do të përshkonin rrugën në këmbë, Edi Rama ka zgjedhur që të shkojë me makinë, ndërsa ministrat janë futur nga hyrja e pasme larg vëmendjes së mediave.
Por pas ceremonisë së betimit rrugën në kthim drejt kryeministrisë e kanë zhvilluar në këmbë. Ceremonia e betimit nuk u transmetua ‘live’, por pamjet e saj u publikuan nga Presidenca pak minuta më vonë.
Pas betimit, Rama ka zhvilluar dhe një mbledhje me ministrat dhe u ka kërkuar që të zbatojnë Kodin e Etikës dhe u ka dhënë disa porosi.
Qeveria e re përbëhet nga 12 gra e 5 burra bashkë me kryeministrin. Rama dhe ministrat e tij u betuan tek Presidenti, për të cilin kanë votuar për shkarkim dhe pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për fjalën e fundit.
Qeveria “Rama 3” u miratua në parlament në orët e para të së premtes me 77 vota pro.
Përbërja e kabintetit qeveritar “Rama 3”
- Edi Rama- Kryeministër
- Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër për Rindërtimin
- Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes
- Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm
- Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë
- Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
- Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit
- Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë
- Elva Margariti – Ministër i Kulturës
- Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
- Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit
- Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
- Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
- Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
- Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve