Teksa luftimet kanë hyrë në ditën e 11-të, Shërbimet e Sigurisë Kombëtare në Ukrainë raportojnë se forcat ruse kanë vendosur si shënjestër të sulmeve të tyre një institut fizik në qytetin e Kharkiv që përmban material bërthamor dhe reaktor.
Sipas autoriteteve ukrainase, një goditje në objektin bërthamor mund të çonte në “katastrofë ekologjike në shkallë të gjerë”, ndërsa shqetësim përbën dhe fakti se rusët po qëllojnë me lëshuesit “Grad” të raketave, të cilët nuk kanë shënjestër të saktë dhe mund të devijojnë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti një kërkesë ndaj Perëndimit për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë më herët, të cilën NATO deri më tani e ka përjashtuar për shkak të shqetësimeve që një veprim i tillë do ta tërheqë Perëndimin drejtpërdrejt në luftë.
“Bota është mjaft e fortë për të mbyllur qiejt tanë”, tha Zelenskyy në një fjalim.
Vladimir Putin paralajmëroi dje se Moska do ta konsideronte një deklaratë të palës së tretë për mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës si një akt armiqësor.