Familjarët e Diane Keaton kanë zbuluar se aktorja e njohur ndërroi jetë si pasojë e pneumonisë, duke konfirmuar ndarjen e saj nga jeta më 11 tetor, në moshën 79-vjeçare. Në një deklaratë për revistën People, ata shprehën mirënjohje të thellë për dashurinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë marrë nga publiku pas humbjes së saj.
“Familja Keaton është thellësisht mirënjohëse për mesazhet e jashtëzakonshme të dashurisë dhe mbështetjes që ka marrë këto ditë në emër të Dianës sonë të dashur”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Familja ka kërkuar që kushdo që dëshiron të nderojë kujtimin e saj, të kontribuojë në kauza që Keaton i mbështeste fort: Ajo i donte shumë kafshët dhe ishte e përkushtuar ndaj komunitetit të pastrehëve. Dhurimet në një bankë ushqimore lokale ose në një strehë për kafshë do të ishin një nderim i denjë për të.
Diane Keaton mbetet një nga figurat më të veçanta dhe të dashura të kinemasë amerikane. U bë e njohur ndërkombëtarisht me rolin e saj në filmin Annie Hall (1977), që i solli çmimin Oscar për aktoren më të mirë. Ajo spikati gjithashtu në filma të rëndësishëm si The Godfather, Reds, Marvin’s Room, Father of the Bride, Something’s Gotta Give dhe The First Wives Club.
Lajmi për vdekjen e saj tronditi Hollywood-in dhe publikun në mbarë botën. Edhe pse kishte kohë që nuk ishte shfaqur në publik, nuk ishte bërë asnjë njoftim për problemet e saj shëndetësore. Një burim për People bëri të ditur se gjendja e saj ishte përkeqësuar në mënyrë të papritur gjatë muajve të fundit dhe shumë nga miqtë e saj të vjetër nuk ishin të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës.
Shumë prej kolegëve të saj, përfshirë Woody Allen, Jane Fonda, Keanu Reeves, Leonardo DiCaprio, Robert De Niro dhe Meryl Streep, i kanë bërë homazhe dhe kanë ndarë kujtime të çmuara për aktoren.
Diane Keaton nuk u martua kurrë. Ajo lë pas dy motrat e saj më të vogla, Dorrie dhe Robin, si dhe dy fëmijët e saj të adoptuar, vajzën Dexter (adoptuar në vitin 1996) dhe djalin Duke (adoptuar në 2001).