Plagosja në Qafë-Kashar, policia zbardh ngjarjen: Shpallen në kërkim 3 persona

Policia e Tiranës ka mundur të zbardhë ngjarjen e ndodhur të premten e shkuar në Qafë Kashar, ku një konflikt i çastit mes disa të rinjve çoi në përdorimin e armës së zjarrit. 3 janë autorët tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia. Ata janë Luan Lame, 23 vjeç, Blerim Allmeta, 27 vjeç dhe Adriatik Cena, 26 vjeç.
Policia thotë se “nga veprimet hetimore ka rezultuar se si pasojë e konfliktit, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës nga njëri prej shtetasve të lartpërmendur është plagosur me armë zjarri R. S. 21 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nuk ka persona të tjerë të dëmtuar nga përdorimi i armës së zjarrit”.
21-vjeçari ishte në shoqërinë e një tjetër të riu, kur ndodhi ngjarja. Ata po ktheheshin më makinë nga në ndeshje futbolli kur i prenë rrugën një makine tjetër. Pikërisht kjo manovër e gabuar u bë shkak për konfliktin.
Në dëshminë e dhënë para policisë, ata thanë se personat në fjalë kishin hapur zjarr në drejtim të tyre në ecje e sipër.
Fillimisht u raportua se të dy të rinjtë kishin mbetur të plagosur me armë zjarri. Megjithatë në njoftimin e kësaj të hëne, Policia e Tiranës saktëson se i plagosur nga të shtënat ka mbetur vetëm 21-vjeçari.