01/02/2023

Në cilësinë e aksionerit të Klubit Tirana, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paditi në Prokurori Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Futbollit, Ilir Shulku dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me akuzën për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Akuzat vijnë pas zgjedhjeve për kryetarin e ri të Shoqatës së Futbollit Tirana, të cilat u mbajtën një ditë më parë në ambientet e FSHF. Kryetari i Bashkisë ritheksoi qëndrimin e tij duke u shprehur ashpër në atë që duket si një mesazh ndaj Federatës së futbollit.

“Pavarësia dhe paprekshmëria janë dy gjëra të ndryshme; mund të jesh i pavarur, por nuk je i paprekshëm. Dhe meqë FIFA dhe UEFA janë në Zvicër, leksioni më i madh në fakt na vjen nga Zvicra, ku fakti që ruhet sekreti bankar, të dhënat personale, që respekton të drejtat e njeriut, nuk nënkupton se njerëzit janë të paprekshëm, qofshin këta edhe VIP-at e futbollit”.

Në Asamblenë për Kryetarin e Shoqatës së Futbollit Tirana, kandidati Eduart Prodani u largua nga salla duke akuzuar për shtim të numrit të delegatëve në mënyrë fiktive nga ana e FSHF.

Ndërsa i zgjedhuri Krenar Alimehmeti, premtoi se do të bëjë më të mirën e tij në detyrën e re.

Në mesin e përplasjes me Bashkinë, Federata e Futbollit publikoi një regjistrim audio të një mbledhjeje të kryetarit Erion Veliaj me shoqatat e futbollit në kryeqytet. Sipas FSHF kjo ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës në çështjet e futbollit. Ndërsa sipas Bashkisë, gjithçka bëhej për t’i dhënë zë shoqatave të papërfaqësuara sportive të kryeqytetit.