PD zyrtare hap fushatën, Bejko: Berisha të heqë gishtat nga sytë e demokratëve, ne jemi e vetmja alternativë e djathtë

Partia Demokratike zyrtare ka hapur të martën zyrtarisht fushatën me kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, Roland Bejko.
“Frymëmarrje për Tiranën” do të jetë slogani me të cilin kandidati i PD-së zyrtare do të garojë përballe Erion Velisë të Partisë Socialiste dhe Belind Këlliçit të “Rithemelimit.”
Hapja e fushatës nisi me një fjalim të Enkelejd Alibeajt i cili akuzoi Sali Berishën se ka përçarë Partinë Demokratike dhe se refuzoi dorën e shtrirë për bashkëpunim në këto zgjedhje vendore, duke i çuar kështu “demokratët te socialisti Ilir Meta.”
Pas fjalimit të kreut të komanduar Enkelejd Alibeaj, fjalën e mori Roland Bejko i cili po ashtu iu drejtua Sali Berishës duke i kërkuar që të heqë “gishtat nga sytë e demokratëve.”
“Jemi këtu për t’u thënë të gjithë miqve tanë demokratë që kjo është partia e tyre, kjo është shtëpia e tyre dhe jo LSI, e drejtuar nga Ilir Meta,” deklaroi Bejko.
Bejko theksoi se grupimi në të cilin ai bën pjesë është alternativa e vetme e së djathtës shqiptare.
“Besoj fort se ne do të dalim me kokën lart dhe fitues. Unë kam besim te ju, te njerëzit e thjeshtë të Tiranës, se mund ta nxjerrim çirakun Erion Veliaj nga zyra që ka zaptuar,” shtoi ai.
Për qytetarët e Tiranës, Bejko listoi 15 premtime që përfshinin zotime për një kryeqytet më mikpritës për studentët, taksa zero për sipërmarrje kulturore dhe artistike apo individë, heqjen e monopolit në tregjet e ushqimeve, hapjen e një muzeu për viktimat e regjimit komunist, “transport publik të kronometruar”, e të tjera.