4.5 C
Tirana
Thursday, 27 January, 2022

Pas shpërthimit për Berishën, nëse e ka seriozisht: Basha të flasë përpara një prokurori!

Nga Ylli Pata

Aq përshtypje ka bërë Lulzim Basha ditën e djeshme, në konferencën e shtypit pas mësymjes së Sali Berishës në selinë e PD-së, sa ka marrë vëmendjen e një publiku shuumë më të gjerë se ata të interesuar për politikë, apo militantët e së djathtës.

Në të gjitha videot e shpërndara nga televizionet, rrjetet apo mediat online, konferenca e shtypit, ku Lulzim Basha shpërtheu fort e ja numëroi Sali Berishës, si për qënien e tij komunist, si për korrupsionin, për vitin 1997, për 21 janarin, apo lidhjet me njerëzit e krimit të rrugës dhe narkotrafikut.

Një deklaratë e fortë, sa u duk për së jashtmi si një seancë terapie, ku një pacient i ngërthyer nga depresioni e ankthi, i sugjerohet të shfryhet.

E kjo shfryrje natyrisht që dha një efekt të rëndësishëm në publik, që më në fund, beteja shumëvjeçare e mjaft mediave kritike me Berishën, që janë përballur me dhunën e pushtetit, duket ka marrë edhe një aleat të ri, që edhe pse “I penduar” është i mirëseardhur.

Ka të drejtë avokat Ngjela, i cili thekson se në këtë gjuhë të re të Lulzim Bashës është i qartë faktori “superfuqi”, pasi siç edhe ka thënë vetë kreu i PD-së, ka parë më shumë nga zullumet e Sali Berishës, familjes e grupit të tij, në këndvështrimin dokumentar të qeverisë amerikane.

E kjo qasje e re e Bashës, është sipas të gjitha gjasave e mirëpritur nga shoqëria, madje më shumë nga ajo pjesë që nuk ka lidhje me politikën.

E megjithatë, kjo qasje ka një kleçkë të madhe, duke ju referuar rolit të veçantë të Lulzim Bashës në vite pranë Sali Berishës.

Ai, tashmë “terapinë dufëshfryrëse” do të duhet ta çojë deri në fund, për të treguar se e gjithë kjo rrugë e re që ka marrë është realisht një nismë e re politike e tij, e jo një short cut momental.

Do të duhet të tregojë publikisht, me detaje të gjitha këto momente që i preku dje në disa “séance psikoterapie” përpara publikut, se natyrisht do të jetë më i lirshëm e i lirë natyrisht.

Ndërkohë, ajo që vlen tashmë, është se Basha, për të gjitha që di dhe ka marrë për sipër t’i rrëfejë duke u zbërthyer, duhet t’i tregojë përpara një hetuesi. Që të bindë të gjithë ata që ka suprizuar për mirë dhe e kanë ndjekur me vëmendje, se këtë linjë e ka seriozisht.

Vetëm pastaj, do të korrë frute të rëndësishme politike, e ndoshta edhe elektorale…

TË NGJASHME

TË FUNDIT