01/02/2023

Partizani ka triumfuar në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës 1-0, me një gol të realizuar nga Skuka në pjesën e parë.

Dy tifozeritë dhuruan një atmosferë elektrizuese sapo lojtarët zbritën në fushën e lojës. Veç koreve të tyre karakteristike, ata hodhën edhe tymuese e shirita letrash në fushë, duke bërë që takimi të niste me 10 minuta vonesë.

Më pas “Demave” iu deshën vetëm 4 minuta për të kaluar në avantazh. Xhuliano Skuka, futbollisti më në formë tek të kuqtë, realizoi një gol fantastik, duke u koordinuar perfekt pas një krosimi në zonë.

Në vijim, Tirana tentoi të reagonte, por u has me një kundërshtar që u mbyll mirë pas, madje krijoi edhe disa raste me kundërsulm, por goli i dytë nuk erdhi në këtë takim.

Pas kësaj fitoreje, Partizani shkëputet me 29 pikë, 4 më shumë se Tirana e vendit të dytë.