13.5 C
Tirana
Thursday, 2 December, 2021

Opozita po kërkon teatrin e zgjedhjeve, jo hetimin e zgjedhjeve

Nga Ardit Rada

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara një vit më parë parashikojnë rihapjen e 10% të kutive të votimit për zgjedhjet e 25 Prillit. Pikërisht ajo po ndodh nga ana e KQZ ku 519 kuti votimi që i janë nënshtruar rinumërimit, edhe pse nuk ndryshojnë rezultatin, po nxjerrin në pah se çka ndodhur pas ditës së zgjedhjeve. Paralelisht me këtë proces, mazhoranca i ka krijuar luksin Partisë Demokratike që të krijohet dhe të drejtojë një komision hetimor parlamentar për 25 Prillin. Prej dy ditësh, ky komision nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt ka prodhuar veçse mbledhje ku palët diskutojnë për teknikalitete sesi do mblidhen e si do të flasin, dhe jo për votën. Komisioni në fjalë, jo vetëm që është një mbivendosje e Kodit të ri Zgjedhor, por në fund pritet të ketë fatin e çdo hetimi parlamentar, si atëherë kur hetohej shkulja e veshit të djalit të Neritan Cekës…

Partia Demokratike ka qenë forca politike që e ka shfrytëzuar më shumë ligjin për të nisur hetime parlamentare, si në kohën kur ishte në pushtet ashtu edhe gjatë tetë viteve në opozitë. Në tri raste të ndryshme ka thirrur si dëshmitar Edi Ramën, që kur ky i fundit ishte kryetar i Bashkisë Tiranë. Dhe sikurse pritej, edhe këtë radhë nuk do të mungonte ‘ultimatumi’ i PD-së për ta pasur me çdo kusht Ramën dëshmitar në Komision, jo si kontribut por si sfidë apo stoli e vogël që PD-së i duhet në CV-në e saj: Ja ne jemi ata që e detyruam Ramën të dëshmojë për një hetim.

Për ta kuptuar më qartë, i gjithë rinumërimi që KQZ po zhvillon është e vërtetë që nuk do të ndryshojë rezultatin, por Kodi lejon që të dhënat të referohen në Prokurori për veprime të mëtejshme. Dhe gjejeni se çfarë ka ndodhur nga ky rinumërim?! Lulzim Basha është i vetmi person që në 25 Prill ka vjedhur të tijët si fillim. Është i vetmi kandidat që ka 13 vota më tepër në procesverbal, seç u gjetën në kutitë e rinumëruara. Por kush është vjedhur? Të gjithë kundërshtarët e tij politikë dhe të gjithë të përjashtuarit e tij nga PD. Armiqve të brendshëm e të jashtëm të Bashës, u janë vjedhur votat: Nga Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Rama e deri te Fatmir Xhafaj.

Pra që në këtë pikë, Komisioni Hetimor duhet të hetojë sesi Lulzim Basha del “i fituari” i 25 Prillit për votën preferenciale, por në rinumërim figuron se ka krehur 13 vota të të tjerëve.

Së dyti, Komisioni Hetimor pritet të hetojë shkeljet para dhe gjatë zgjedhjeve. Që nga blerja e supozuar e votës, tek presionet me legalizime e punësime. Dhe e gjitha kjo mendohet ta bëjë një Komision që ka në krye të tryezës si anëtar Gazment Bardhin. Nuk mbahej mend qyshse kur zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin përgjakur aq gjakftohtë derisa grupi paramilitar me Bardhin në krye përgjaku Elbasanin duke vrarë Pjerin Xhuvanin. Asnjë ‘mea culpa’ nga partia që tentoi të sfidojë shtetin me grupe të armatosura, që ndalonin makina rrugës, u hynin shoferëve me dhunë në automjet dhe u shqyenin kroskotët se mos gjenin ndonjë lek, a ndonjë zarf. Fatkeqësisht, asnjë reagim as nga shteti në atë kohë ndaj këtij absurdi. Sot, që Bardhi e quan vrasësin “një nga efektivët më të përgatitur”, do të hetojë presionin hipotetik të zgjedhësve nga ALUIZNI a kushedi se çfarë akuzash të tjera ka në listë.

Komisioni Hetimor i 25 Prillit ka sot dy fytyra. Atë të kryetarit Enkelejd Alibeaj, ish-ministri taleban i PD-së në Drejtësi, që krahas çdo akuze si mashë e partisë, pozonte edhe me portretin e Mehmet Shehut në Mallakastër vetëm për të marrë ca vota. Dhe pjesa tjetër e drejtimit të Komisionit, nënkryetar deputeti i ri Toni Gogu, një pastor dhe intelektual. E përkufizuar me dy fjalë, stili talebanist i opozitarëve është rreshtuar sot përballë moderacionit protestant të Gogut dhe kolegëve të tij.

Është e qartë se Partia Demokratike nuk po kërkon një hetim të zgjedhjeve, por një teatër. Lulzim Basha përveç teatrit, kërkon edhe fabulën e humbjes së 25 Prillit përballë ‘Foltoreve’ ku Berisha po e telendis nga A-ja te ZH-ja. Sa për zhvillimin dhe rezultatin e 25 Prillit, mjafton të merret në konsideratë fakti se Zgjedhjet jo vetëm u vlerësuan e u pranuan nga bashkësia ndërkombëtare, por s’ka mbetur asnjë procesverbal pa hedhur firmën ndonjë komisioner i PD-së. Dhe me të drejtë, për aq kohë sa në 10% të kutive, kishin vjedhur për emrin e Bashës 13 vota…

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com