Një shtetas portugez dyshohet se është ekzekutori i biznesmenit Ardjan Nikulaj

Burime për Klan News nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se ekzekutori i biznesmenit Ardjan Nikulaj është një shtetas portugez. Nga të dhënat e mësuara, shtetasi portugez është larguar nga pika kufitare e Kapshticës.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se shtetasi anglez ka qenë në rolin e ndihmësit. Policia e Shtetit njoftoi pak çaste më parë, se në orën 17:45 minuta, do të dalë në një konferencë për shtyp për këtë ngjarje, ku pritet të zbulohen më shumë detaje.
Një vajzë që dyshohet të jetë e dashura e nipit të familjes Lek Stakaj, siç mëson Klan News, ka blerë motorin e përdorur nga autori i dyshuar.
Biznesmeni Ardjan Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij në Shëngjin, më 19 Prill.
Ky është rasti i tretë në vendin tonë, ku janë përdorur shtetas të huaj, si vrasës me pagesë. Në 27 Maj të 2015-s në masakrën përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, një nga autorët ishte shtetasi italian, Salvatore Leticia. Në 29 Janar të 2018 u ekzekutua Devi Kasmi nga shtetasi grek, Efthimios Efthimius.