08/02/2023

Nga Shyqyri Dade

Dalja nga një sistem tjetër dhe hyrja në këtë sistem, nuk nënkupton automatikisht moszbatimin e tërësisë së normave shoqërore. Fjala e lirë, liria veprimit, liria në përgjithësi, është një fitore e patjetërsueshme, në radhë të parë për individin dhe në radhë të dytë për shoqërinë.

Por keqpërdorimi i lirisë në mënyrë individuale, ose në grup, prek lirinë e dikujt tjetër. Në mënyrë që të mbrohet liria e kujtdo, shoqëria nëpërmjet përfaqësimit vendos kode, norma, ligje. Ngre institucione mbrojtëse, institucione që punojnë për të mos lejuar, penguar, korrigjuar dhe dënuar të gjithë ata që shkelin ligjet.

Njerëzit e të gjitha niveleve, duhet të zbatojnë edhe disa norma të cilat nganjëherë, nuk përfshihen në legjislacion, janë të pashkruara dhe varen nga një sërë faktorësh. Faktorët mund të jenë të trashëguar, tradicionalë, krahinorë, dialektorë, kulturorë, arsimorë, ekonomikë, të ndikuar nga edukata familjare, shoqërore, rrethit shoqëror, grupit, mjedisit, kombëtare, etj, e këtu mund të rreshtosh edhe faktorë të tjerë.

Shpesh tërësia e këtyre faktorëve dhe normave shkrihen në një mënyrë të vetme dhe dallohen tek paraqitja e tyre, pra nxjerrja jashtë e tyre në mënyra të ndryshme tek njerëz të ndryshëm. Këtë rëndom e quajmë sjellje. Njeriu i sjellshëm, zbaton normat. I pasjellshëm, nuk zbaton normat, etj.

Por tani ka shumë nga ata të cilët mendojnë se shoqëria në të cilën jetojmë, duhet të jetë një shoqëri pa norma. Se është një shoqëri e lirë dhe se individi apo grupime të caktuara mund të sillen si të duan, edhe kur prekin interesin e pjesës tjetër të shoqërisë.

A të detyron kush të thuash: – Faleminderit. Jo. Kjo fjalë del vetvetiu kur më parë është kryer një veprim i cili të favorizon, apo të pëlqen. Ka njerëz që nuk e njohin këtë fjalë. Dhe nuk njohin edhe shumë veprime të tjera. Do të ishte një gjë e mirë nëse do të mbeteshim thjesht në mungesën e mirënjohjes dhe të falënderimit për gjëra të vogla, se do të konsideroheshin si të padëmshme.

Por shoqëria jonë në këto tridhjetë vite dhe sidomos një pjesë e saj, krahas shndërrimeve të mëdha që detyrimisht e përballin atë me situata dhe kapërcime të natyrshme, por edhe të panjohura më parë, është ndeshur me fenomenet negative që shpesh ndodhin dhe zhvillohen në kurriz të saj, duke e dëmtuar rëndë atë.

Nëse gjatë periudhës së socializmit u përpoqëm të krijonim njeriun e ri, term ky që nënkuptonte njeriun përfaqësues të moralit komunist, në këto vite krahas njeriut të lirë, me norma, të ndershëm, zbatues të ligjit, krijuam edhe njeriun që me sjelljen e tij dëmton shoqërinë. Krijuam njeriun antisocial. Njeriu antisocial kalon deri aty, sa kjo vijë sjellje i kthehet në fiksim, në një çrregullim mendor.

Në kushtet e Shqipërisë, njeriu antisocial është kthyer në një dukuri. Me të ne ndeshemi përditë. I kemi para syve. Njihemi përditë me veprimet, bëmat, ngjarjet. Njeriu antisocial tani po arrin deri aty sa të na imponojë mënyrën e jetesës, mënyrën e të menduarit e të vepruarit.

“Të gjeti gjë ty se u shkatërruan ndërmarrjet, se u vodh prona shtetërore dhe ajo private? Çfarë ke që qahesh se po vjedhin? Ta futi njeri dorën në xhep ty? E pe filonin? Çun i shkathët. Çun me lek. Ka bo lek. Po vari trapin le t’boj pak burg. – Jepi noj lek atij, mos t’fut n’administratë. O ven me lek…” E plot, e plot, koncepte e mendime të kësaj natyre.

Ata që dogjën, vodhën, plaçkitën, bënë lekë, morën e dhanë rryshfet, përfituan, zhgrapën, zunë hapësirat private e publike, vranë e prenë, shfrytëzuan postet, u pasuruan pa bërë biznes e punë të ndershme, bënë të fortin, etj, shihen sot nga një pjesë e shoqërisë apo një pjesë e të rinjve si modele që kanë patur sukses në jetë.

Ne nuk na mungojnë ligjet dhe institucionet. Ligjet nuk zbatohen dhe institucionet janë të dobëta. Qeveria e kap lepurin me qerre. Është një shprehje e vjetër që tregon se kur është vullneti i duhur nga institucionet qeveritare, gjërat mund të vendosen në vendin e duhur. Por kjo shprehje nuk qëndron në rastin tonë kur qerrja është lepur.

Dhe në këtë mënyrë kemi dy lepuj, të cilët duhet t’i kapi dikush, t’i ndëshkojë, apo t’i korrigjojë, sipas shkalles së sjelljes antisociale.

Nëse qeveria thotë për kriminelët hëngshin kokën e njëri-tjetrit. Apo nëse thotë se është e drejta e kujtdo që të largohet nga vendi dhe sidomos kur është rasti për të rinjtë e këtij vendi atëherë institucionet janë jo vetëm të dobëta, por edhe jo serioze e jo të përgjegjshme. Ato e kanë humbur besimin e asaj pjese pozitive e të shëndoshë të shoqërisë që ne po i quajmë njerëz me norma.

Njeriu antisocial është sot në të gjitha nivelet. Është në fshat dhe në qytet. Është në rrugë dhe në semafor. Është në shkolla e fakultete. Është në biznes e në administratë. Është nëpër partira e në Kuvend. Është kudo. A është tashmë shumicë? Të shpresojmë që jo!