Netanyahu ka ushtruar presion mbi shërbimet e sigurisë për të shtyrë dëshminë në gjyqin e korrupsionit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ushtruar presion mbi shërbimet e sigurisë dhe drejtësinë për të shtyrë dëshminë e tij në gjyqin e korrupsionit, duke ngritur nivelin e kërcënimeve të sigurisë ndaj vetes dhe duke kërkuar masa ekstreme mbrojtjeje, raporton Haaretz.

Burime të gazetës izraelite thanë se përpara dëshmisë së planifikuar, Netanyahu kërkoi nga Inteligjenca Ushtarake të rrisë vlerësimin për kërcënimet ndaj tij, ndërsa përmes aleatëve politikë ushtroi presion mbi agjencitë e sigurisë për të vonuar paraqitjen e tij në gjykatë.

Edhe ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, sipas të njëjtit raport, ka ushtruar presion mbi Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (Shin Bet) për të parandaluar dëshminë e kryeministrit. Në të njëjtën kohë, presidenti Isaac Herzog u përpoq të bindte prokuroren e përgjithshme që të lehtësonte situatën për Netanyahun.

Në dhjetor, Netanyahu dëshmoi në një sallë të nëndheshme të Gjykatës së Tel Avivit, por para se të pranohej kjo zgjidhje ai kishte paralajmëruar për një “sulm me raketa” që sipas tij mund të rrëzonte ndërtesën dhe të vriste të gjithë të pranishmit.

Presioni i ushtruar para dëshmisë, që nisi më 10 dhjetor, u shoqërua më pas edhe me ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump, i cili publikisht kërkoi anulimin e gjyqit, duke sugjeruar se ndihma ushtarake amerikane për Izraelin mund të vihej në dyshim.

Përpjekje për të shmangur gjyqin me çdo kusht

Kritikët e Netanyahu-t thonë se vonesat në proces janë pjesë e një strategjie për pezullimin e gjyqit dhe zëvendësimin e prokurores së përgjithshme Gali Baharav-Miara me një figurë më të afërt me kryeministrin. Zyra e Netanyahu-t i ka mohuar akuzat se ka ekzagjeruar kërcënimet e sigurisë.

Aktualisht, Netanyahu është i pandehur për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit publik në çështjen e njohur si “dhuratat luksoze” dhe dy raste të tjera ku dyshohet se ka dhënë favore rregullatore në këmbim të mbulimit pozitiv mediatik.

Më 19 tetor, një dron i Hezbollah goditi dritaren e dhomës së gjumit të Netanyahu-t në shtëpinë e tij private në Caesarea, ndërkohë që shtëpia ishte bosh. Incidenti shtoi masat e sigurisë, por gjithashtu u përdor nga Netanyahu për të argumentuar se paraqitja e tij në një vend të fiksuar si gjykata ishte shumë e rrezikshme.

Ai kërkoi që lëvizjet e tij të mos publikoheshin dhe që ai të banonte vetëm në ambiente të mbrojtura nga raketat dhe dronët, por kreu i Shin Bet refuzoi të firmoste dokumentin që përmbante këto kërkesa ekstreme.

Në fund, gjykata i lejoi një shtyrje të dëshmisë nga 2 dhjetori në 10 dhjetor, por Netanyahu vazhdoi të kërkonte vonesa të reja, madje edhe përmes aleatëve të tij në kabinet dhe në Knesset. Ministrat më besnikë të tij u përplasën edhe me prokuroren e përgjithshme në një mbledhje të tensionuar të kabinetit të sigurisë.

Ndërhyrje ndërkombëtare dhe shtyrje e mëtejshme

Në ditët kur ishte planifikuar të dëshmonte, Netanyahu u fotografua duke marrë pjesë në aktivitete publike dhe javën tjetër pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara, gjë që e bën të pamundur paraqitjen e tij para gjykatës para pushimeve verore të sistemit gjyqësor më 20 korrik.

Ndërkohë, sipas Haaretz, aleatët e Netanyahu-t po vazhdojnë përpjekjet për të larguar nga posti prokuroren Baharav-Miara, ndërsa vetë kryeministri po përpiqet të kapitalizojë sukseset e Izraelit kundër Iranit për të fituar mbështetje politike dhe diplomatike për të ndalur gjyqin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *