Ndryshimet në qeveri, Basha: Makijazh! Kjo keqbërje çdo ditë e më shumë po e kap për fyti ekonominë

TIRANË
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar sot se dëshmi e kostove që ngjarjet brenda PD kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit, teksa ka premtuar se është hera e fundit që nuk ka kandidat për zgjedhjet.
Basha ka komentuar dhe ndryshimet e bëra në qeveri.
“Makijazhet që i bëhen qeverisë së Edi Ramës, si ky i fundit që do të përfundojë këtë javë vetëm për të treguar se fytyra e kësaj qeverie nuk shpëton dot nga asnjë makijazh dhe për t’u bërë gati për operacionin tjetër plastik nuk e fsheh dot të vërtetën që sot shqiptarët kanë një qeverisje të korruptuar e që shpërdoron taksat e tyre”, deklaroi Basha.

Basha: Është hera e fundit që PD nuk ka kandidat për zgjedhjet
Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë.
Sot përfundojmë plotësimin e strukturës dhe të gjithë, pa përjashtim, me mua të parin, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë gati, kudo dhe kurdo për përballje elektorale.
“Të japim prova se ua kemi lënë të tjerëve luftën për karrige. Prioriteti ynë mirëqenia e familjeve shqiptare”
Për shkak të rraskapitjes në beteja të brendshme, nuk u kushtuam vëmendje të mjaftueshme qytetarëve.
Për fëmijët e shqiptarëve dhe mirë-arsimimin e tyre. Për nxjerrjen nga kolapsi të shëndetësisë.
Për të krijuar kushtet që qytetarët të kenë punësim, paga më të mira, dhe kostot e jetesës të përballueshme.
Që familjet shqiptare të kenë një jetë të dinjitetshme, e të rinjtë të mos kenë frikë për të ndërtuar familjen e tyre këtu.
Ndaj na takon ne të japim prova se ua kemi lënë të tjerëve obsesionin për karrike. Sepse kemi një tjetër prioritet, atë për të qenë sa më pranë njerëzve, për të qenë zëri i tyre, dera ku të trokasin për të gjetur zgjidhje për gjitha shqetësimet e mëdha e të vogla që ata kanë.
Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe është e detyra jonë t’ju dëshmojmë qytetarëve se në përfundim të këtij riorganizmini, ne do jemi në krah të tyre, duke i shërbyer interesit publik.
“Përballja me korrupsionin, prioritet imediat. Do kërkojmë ngritjen e komisioneve hetimore për abuzimin me fondet IPARD dhe inestitorët strategjik”
Makijazhet që i bëhen qeverisë së Edi Ramës, si ky i fundit që do të përfundojë këtë javë vetëm për të treguar se fytyra e kësaj qeverie nuk shpëton dot nga asnjë makijazh dhe për t’u bërë gati për operacionin tjetër plastik nuk e fsheh dot të vërtetën që sot shqiptarët kanë një qeverisje të korruptuar e që shpërdoron taksat e tyre. Kjo keqbërje çdo ditë e më shumë po e kap për fyti ekonominë shqiptare.
Pasi kapi çdo institucion dhe ka nënshtruar qeverinë e vendin tek oligarkët klientelë dhe koncesionet, tani kanë marrë yryshin të rrisë barrën tatimore dhe pagesave të tjera të detyrueshme ndaj çdo familjeje e biznesi.
Me këtë qeverisje vendi po rrëshqet çdo ditë e më shumë në ekonominë e centralizuar të oligarkëve dhe koncesioneve, duke shpartalluar çdo ditë e më shumë lirinë ekonomike dhe ekonominë e tregut.
Pas mashtrimit që u bëri bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarve, të cilët shumë shpejt do të përballen me faturë taksash më të lartë; pas mashtrimit publik që bëri mazhoranca me nevojën për rritjen e pagave në sektorin publik, por që përfundoi në rritje shumëfish vetëm të pagave për qeveritarë e deputetë dhe jo për masën e madhe të punonjësit publik, si mjekë e arsimtarë; qeveria ka planifikuar të tjera taksa e pagesa shtesë për të rënduar më tej buxhetet familjare dhe të bizneseve.
Rritja e taksës mbi pasurinë e paluajtshme dhe i ashtuquajturi prim për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, pavarësisht se në dukje nuk kanë lidhje me njëri-tjetrit, në fakt kanë të njëjtin qëllim: të marrin më shumë para nga familjet dhe bizneset për të mbushur arkat e bashkive dhe të qeverisë për shpërdorime të reja.
Rritjet e vijueshme të barrëve tatimore mbi pronat e qytetarëve dhe bizneseve synojnë të godasin përmes mekanizmash tatimorë aftësitë e çdo shqiptari për t’iu gëzuar pronës së tij.
Përballja me korrupsionin është prioritet imediat, për këtë ne do të kërkojmë ngritjen e komisioneve hetimore për abuzimin me fondet IPARD dhe inestitorët strategjik.
Ne kemi shfaqur një vullnet të qartë politik në mbështetjen tonë pa kushte ndaj SPAK, e inukurajojmë të çojë përpara me vendosmëri punën e tij, shqiptarët presin dhe meritojnë drejtësi.