01/02/2023

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndryshuar funksionet e disa deputetëve.

Kështu, Alfred Rushaj është larguar nga drejtimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së dhe në vend të tij është caktuar Enkelejd Alibeaj, i cili mbante detyrën e nënkryetarit të Parlamentit nga radhët e opozitës.

Në vend të Alibeajt, është votuar Agron Gjekmarkaj si nënkryetar i Parlamentit.

Këto ndryshime ishin propozime të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha se me Alfred Rushajn është duke punuar për një projekt politik për të ardhmen.

“Fillimisht dua tju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi, që drejtimi i grupit, me sfidat e reja që kemi përpara, t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj. Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD. Nga ana tjetër, do të propozoj si Nënkryetar të Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj, që gjithashtu kërkoj nga Këshilli Kombëtar që të votohet edhe si Nënkryetar i Partisë Demokratike. Një përfaqësues i denjë i demokratëve, botës akademike dhe komunitetit katolik. Jam i bindur se z. Gjekmarkaj është vlerë e shtuar në lidershipin e Partisë Demokratike”, tha Lulzim Basha.

Ndër të tjera, Basha foli edhe për protestën e 8 Janarit në selinë blu, duke theksuar se e kundërshtojnë dhunën.

“Dhuna nuk mund të jetë kurrë mekanizëm imponimi në Partinë Demokratike. Kurrë. Nuk mund t’i imponohesh institucioneve të partisë me dhunë. Demokratët e refuzuan dhunën e organizuar nga Sali Berisha. Ne të gjithë duhet t’i falenderojmë pa ndërprerje për këtë. Mund të jenë mashtruar, detyruar, mund tu kene bërë presion, kam qindra mesazhe nga më skandalozet per mesazhet që u janë bërë, apo edhe thjesht per momentin nuk kan qenë të qartë. Dita ditës edhe këta demokratë kanë kuptuar dhe po e kuptojnë që e gjitha ajo që nisi dhe po vijon Sali Berisha ka vetëm një qëllim: Të dëmtojë, mundësisht ta shkatërrojë Partinë Demokratike. Sali Berisha don akoma që ta përdor PD si mburojë. Ne nuk e kemi lejuar këtë, ne nuk do ta lejojmë këtë. Pjesa dërrmuese prej jush ka qenë dëshmitar të akteve të dhunës së organizuar nga Sali Berisha në 8 Janar. Ato akte, ajo sjellje, janë vije e kuqe ndarje e dhunuesve, organizatorëve të dhunës, e nxitësve të dhunës, me Partinë Demokratike.

Unë e kam dorën të shtrirë ndaj çdo demokrati që do një PD të fortë në partneritet dhe aleancë me SHBA dhe kundër regjimit të korruptuar të Edi Ramës. Askush nuk është i tepërt. Ju kërkoj dhe ju të shtrini dorën e bashkëpunimit për çdo demokrat. Për cdo qytetar që don ndryshimin dhe nxjerrjen e Shqipërsië, familjeve të tyre dhe në vecanti fëmijëve të tyre nga kjo krizë e rëndë”.