20.5 C
Tirana
Saturday, 23 October, 2021

Nano: Sa më shumë thuhet që Bregoviçit nuk i është regjistruar asnjë bëmë antishqiptare, aq më i madh është harbimi kundër tij

Analisti Mustafa Nano të hënën është shprehur se kosovarët e fituan luftën me Serbinë dhe si rrjedhojë ata nuk asnjë arsye pse të mbeten në grackën e së shkuarës, duke kërkuar që artisti Goran Bregovic të mos këndojë në një koncert në Shqipëri.

I ftuar në studion e lajmeve në MCN.TV, Nano thekson se më e bukura e gjithë kësaj historie është fakti se sa më shumë thuhet që Bregoviçit nuk i është regjistruar asnjë bëmë antishqiptare, aq më i madh është harbimi kundër tij.

Zoti Nano, ju kishit bërë një shënim në Facebook mbi debatin që ka nisur për shkak të vizitës së Goran Bregoviçit në Korçë. Ç’mund të na thoni diçka më tepër?

-Më shumë sesa debat, është një histeri që ka plasur në rrjetet sociale, dhe që është iniciuar nga disa këngëtarë të muzikës Rap e nga tifozët Kuq e Zi.

Mjafton vetëm kaq për ta injoruar këtë histeri. Sepse nuk mund të tërhiqemi zvarrë në një debat nga rapper-ë të pashkollë e të pagdhendur.

Mirëpo, gjëja mori përmasa të mëdha. E në këtë kuptim, nuk munda t’i rezistoja ngasjes për ta thënë timen.

Dhe e juaja është….

-E imja është ajo që kam shprehur në atë shënim të shkurtër.

Nuk ka asnjë arsye në botë që Bregoviçi të pengohet të vijë për një koncert në Shqipëri. Dhe e bukura është se sa më shumë thuhet që Bregoviçit nuk i është regjistruar asnjë bëmë antishqiptare, aq më i madh është harbimi kundër tij.

Ec e mere vesh këtë punë. Dhe ndërkohë që bëjnë këtë, bëjnë sikur harrojnë se tregu kosovar është i përmbytur nga mallrat serbe.

Dhe se plazhet e Shqipërisë së jugut janë mbushur me serbë e kosovarë që janë duke u shullëhur në diell bythë më bythë me njëri-tjetrin.

Pse këngëtarët shqiptarë nuk ftohen në Beograd, atëherë?

-Nuk është e vërtetë që nuk janë ftuar këngëtarë shqiptarë. Inva Mula ka kënduar në Beograd.

Dhe është pritur nga Vuçiçi, në zyrën e këtij të fundit. Duhet të mos shkonte Inva në Beograd të këndonte?

Apo duhet të mos i shkonte Vuçiçit në takim, në mënyrë që ta mbante muhabetin mirë me rapper-at tanë e me gardianët e patriotizmit vulgar shqiptar?

Janë shqiptarët e Kosovës që ndihen më së shumti të lënduar…

-Shikoni, së pari me këtë termin “shqiptarët e Kosovës” abuzohet shumë. Nuk janë shqiptarët e Kosovës.

Janë një pakicë e zhurmshme, asgjë më tepër. Të shumtë e kosovarëve as që duan t’ia dinë nëse Bregoviçi vjen apo ikën nga Shqipëria.

Pastaj, edhe sikur të ishte e vërtetë që të gjithë shqiptarët e Kosovës nuk i mirëpresin vizita të tilla serbësh në Shqipëri, duhet të bëhen të gjallë disa vetë për t’u thënë se nuk mund të rrinë me mendjen e kthyer pas në kohë.

Kosova ka vuajtur, por më në fund “yjet” punuan për të. Kosova është e lirë sot.

Dhe kosovarët nuk mund të sillen sikur kanë humbur. Në gjithë këtë histori që u finalizua me një luftë të Perëndimit me Serbinë ka vetëm një fitues.

Dhe ky fitues janë kosovarët.

Unë nuk e kuptoj se si fituesit e një lufte mund të këmbëngulin kaq fort të mbeten në kurthin e historisë.

Unë nuk njoh ndonjë fitues tjetër në histori që të jetë sjellë kështu.

Ok, dhembja e shumë njerëzve është e madhe, sakrificat kanë qenë të mëdha, serbët kanë bërë krime çnjerëzore kundër shqiptarëve në Kosovë, por le t’i marrim këto si çmimin e fitores. Dhe nuk është një fitore dosido, një fitore momentale. Jo, është një fitore që ka ndodhur një herë e mirë.

E prandaj, nuk kanë arsye ta mbajnë veten në grackën e së shkuarës. Për më tepër, nuk mund të na mbajnë neve të tjerëve peng të së shkuarës.

Doni të thoni që ne duhet të synojmë përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë?

-Po, pse jo?

Po ata nuk kanë kërkuar falje.

-Falje? E çfarë rëndësie ka kjo? Kjo puna e faljes është një alibi për të justifikuar politikat e konservimit të armiqësisë së përjetshme mes shqiptarëve e serbëve.

Të gjithë e dimë se serbët nuk janë të gatshëm të kërkojnë falje. Pse duhet t’u kërkojmë një gjë që ata nuk e bëjnë dot, e që nuk e bën askush në Ballkan?

Ata janë ca më shumë në kurthin e historisë. Ata janë të dehur e të droguar nga historia.

Dhe këtij fakti nuk kemi se ç’ti bëjmë. Duhet ta njohim e ta pranojmë. Shoqëria serbe është ende e intoksikuar me nacionalizëm, shovinizëm, antishqiptarizëm.

Është një shoqëri me limite të mëdha. Edhe kjo dihet. Por ndërkohë, duhet bërë diçka me sytë nga e ardhmja. Duhen disa shembuj emancipues.

Ju jeni dakord me qasjen e kryeministrit Rama në marrëdhëniet me Serbinë? Mini-Schengeni, takimet e shpeshta me Vuçiçin, marrëdhëniet e vështira me Kurtin etj.

-Unë jam dakord me idenë që ne duhet të shohim përpara, e nuk duhet zhbirilojmë në histori për të gjetur arsye për t’i dhënë kuptim armiqësisë sonë.

Te Mini-Schengeni nuk shoh ndonjë të keqe. Mos vallë duhet të besoj sendërgjitë idiotike të atyre që thonë se Mini-Schengeni është një Jugosllavi e re?

Sa për takimet e Ramës me Vuçiçin, ato unë i shoh me shumë pozitivitet, i shoh si përpjekje për të zbutur klimën, për të neutralizuar efektin e ngarkesave që na kanë mbetur prej historisë. Dhe duhet thënë se merita është edhe e Vuçiçit.

Rama herë pas here, ç’është e vërteta, më duket më naiv përballë një Vuçiçi më të djallëzuar, por Ramën e shoh si më vizionar se Vuçiçin.

Historia do të flasë më mirë për Ramën në këtë pikë. Kur vjen puna pastaj te anashkalimi i Kurtit, kjo vjen prej Kurtit vetë.

Kurti ka sjellë një standard moral të rëndësishëm në politikën kosovare, ndoshta edhe panshqiptare, ndoshta edhe ballkanike, por në politikën e jashtme është amator.

Është më pak i përgatituri në skenën ballkanike. Duket sikur ka një kompleks inferioriteti. Nëse është kështu, duhet ta mundë këtë kompleks e duhet të bëhet pjesë e lojës. Vetëm kështu do të fitojë edhe Kosova.

Kosova nuk mund të fitojë duke thënë se “nëse serbët nuk njohin gjenocidin, nëse ata nuk kërkojnë falje, nëse ata nuk njohin shtetin e Kosovës tani, këtu, menjëherë, atëherë nuk kemi se ç’të negociojmë me Serbinë”.

Një pyetje të fundit. Kush janë intelektualët kosovarë që nuk pranuan të vinin në programin tuaj për shkak të titullit “Provokacija”?

-Nuk ka rëndësi. Këtë fakt “e zbulova” jo për të denoncuar njërin apo tjetrin, por për të denoncuar një qasje të një pjese të elitës kosovare që nuk di të thotë gjë tjetër, veçse ne shqiptarët jemi të mirët, të urtët, paqësorët, viktimat, ndërsa serbët janë të këqijtë, mistrecët, agresorët.

E kam fjalën për ata intelektualë kosovarë që, në vend t’i vënë për detyrë vetes t’i emancipojnë masat e turmat, bëhen njësh me to. Duke krijuar një klimë helmuese për të gjithë.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com