Moska reagon zyrtarisht: Tërhoqëm trupat e katër turistëve, do t’u bëhet ekspertizë shtesë në Rusi

Ambasada e Rusisë në Shqipëri, ka njoftuar sot se trupat e pajetë të katër turistëve që humbën jetën një javë më parë në një hotel në Kavajë janë tërhequr nga morgu dhe janë dërguar drejt Rusisë.
Po ashtu selia diplomatike bën me dije se sipas legjislacionit rus, mund të bëhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt. Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”, njoftohet nga ambasada.