Mjeku nga Zimbabve flet për Blendi Fevziun dhe ka një mesazh për Manastirliun: E mbajmë maskën kudo!

Emisioni “Check-In” këtë javë ka udhëtuar drejt Zimbabve në Afrikë. Autorja e programit, Albana Nanaj, bashkë me gazetarin Blendi Fevziu kanë treguar jetën në këtë vend, i cili është pak i njohur në Shqipëri.
Ata kanë parë nga afër jetën në fshatrat e Afrikës, ku banorët jetojnë në kushte jo të mira. Aty janë takuar me një mjek popullor, i cili me anë të bimëve përgatit lloje të ndryshme ilaçesh, të cilat mund të të shpëtojnë jetën edhe kur të kafshon një gjarpër.
Blendi Fevziu: Si e ke emrin?
Banori: Mpisi.
Albana Nanaj: Njësoj si fshati.
Blendi Fevziu: Sa vjeç je.
Banori: Shumë i ri. Nga jeni?
Blendi Fevziu: Shqipëria.
Banori: Gjuha juaj qenka interesante, flisni pak shqip.
Blendi Fevziu: Do të marrësh vesh shqip? Asnjë llaf nuk merr vesh.
Duke qenë se mjekësia është profesioni i tij, banori tregon se mban gjithmonë maskë anti-Covid dhe prej Afrikës i dërgon një mesazh ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Banori: Përshëndetje Ogerta! E mbajmë maskën të gjithë kudo. Sepse duam të jemi të mbrojtur.
Më tej Mpisi tregon si përgatit vetë të gjitha medikamentet. Po ashtu mjeku i fshatit tregon mënyrën e jetesës dhe shpjegon pse kuzhina është qendra e shtëpisë.
“Kuzhina është qendra e shtëpisë! E para kur ndërton një shtëpi është kuzhina aty ku ushqehen njerëzit, së dyti kur ndërton një tualet dhe me pas shtëpi të tjera. Kur një grua është shtatzënë ajo lind në kuzhinë, kur je i sëmurë rënde ti sillesh në kuzhinë edhe kur vdes trupi fillimisht sillet në kuzhinë rri një natë dhe pastaj varroset. Në kuzhinë sundojnë gratë”, tregon Mpisi.